‘Revolucion’ për mbijetesën te klubi i Kategorisë Superiore

“Në mbyllje të pjesës së parë të sezonit futbollistik 2019-2020 dhe objektivave të klubit ‘Flamurtari Football Club’, duke marrë shkak nga rezultatet, pritshmeritë në fushë dhe performancës së lojtarëve të cilët janë pjesë e klubit, Flamurtari F.C vendos ndërprerjen e kontratës me disa  futbollistë të cilët do të bëhen  publik në një komunikim te dytë.

Flamurtari F.C  vijon punën pa ndërprerje për përforcimin  e skuadrës, riorganizimin dhe hyrjen fuqishëm në merkato, për arritjen e objektivave  në këtë sezon futbollistik.

Flamurtari F.C konfirmon se do të vijohet me përkushtim dhe pa ndërprerje për të përforcuar skuadrën me elemente cilësorë, duke përmbushur të gjitha detyrimet, por edhe konfirmuar se skuadra do të jetë ajo që kërkojnë objektivat e vet klubit, por edhe të sportdashësve të shumtë vlonjate”.

Kjo është deklarata zyrtare e klubit Flamurtari,teksa priten shumë ndryshime në kampin vlonjat.

Nga sezoni aktual 2019-2020 pritet të largohen rreth 9 apo 10 lojtarë teksa i afruari i vetëm deri më tani është mbrojtësi Bruno Lipi, i cili më parë ka qenë pjesë e Bylis, Laçit apo dhe Turbinës në Kategorinë e Parë.

Vetëm 6 pikë arriti të grumbullojë Flamurtari në kampionat për vitin 2019 të këtij sezoni, teksa duket i vështirë objektivi mbijetesë.

Burime nga klubi bëjnë të ditur lojtarët që pritet të largohen janë: Jurgen Vatnikaj, Olsi Gocaj, Ansi Nika apo edhe Shaqir Haruni.

Po ashtu mbrojtësi Fjoralb Deliaj ka mbyllur gjithçka me klubin vlonjat.

Emrat nuk janë bërë ende publik nga vetë klubi, teksa lojtarët e larguar disa ditë më parë janë dhe Semir Bajraktarevic, Bajram Nebihi apo edhe shqiptari nga Kosova, Lirim Mema.