VIDEO e avionit në flakë/ A është kjo provë se u qëllua me raketë?

Pas sulmit me raketa mbi dy baza amerikane në Irak, një ngjarje tronditëse u regjistrua në Iran. Një avion ukrainas me 176 persona u rrëzua pak pasi ishte ngritur nga pista.

Të gjithë njerëzit në bord u vranë.

Irani ishte i pari që nxitoi të deklaronte se avioni nuk u rrëzua nga ndonjë raketë, por për shkak të problemeve teknike.

Kjo tezë po mbrohet për momentin edhe në Ukrainë, edhe pse hetimet vazhdojnë.

Por dyshimet mbeten të forta. Avioni u rrëzua tri minuta pasi ishte ngritur nga pista në Teheran.

Sipas gazetës britanike ‘The Sun’, një video e avionit ka shtuar pikëpyetjet.

Në video duket avioni në flakë përpara se të rrëzohet në tokë.

Gazeta shkruan se avioni ishte i ri. Ai ishte prodhuar në vitin 2016 dhe ishte kontrolluar para dy ditësh.

Në avionin që po fluturonte drejt Kievit kishte në bord edhe shumë të huaj, shumica kanadezë, por edhe suedezë, gjermanë dhe britanikë.

Të tilla incidente janë shënuar edhe në të shkuarën. Në vitin 2014, një avion i Malaysia Airlines u rrëzua në Ukrainë nga separatistët rusë, të cilët menduan se ishte raketë.

Edhe flota amerikane ka vrarë 290 persona në një incident të ngjashëm kur rrëzoi një avion iranian në vitin 1988.

Një numër linjash ajrore kanë pezulluar fluturimet mbi Iran dhe Irak.