Nuk duhet krijuar pritje të tepruara për zgjerimin gjatë Presidencës kroate të BE-së

Ndonëse Kroacia do të bëjë përpjekje maksimale për të rikthyer besimin në procesin e zgjerimit të BE-së, që do të kulminojë me samitin në Zagreb në fillim të muajit maj, nuk do të duhej të kishte pritje të mëdha.

Asnjë vendim i rëndësishëm nuk pritet, ndërkaq sukses do të konsiderohej edhe një vendim eventual për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Me gjithë qëndrimin miqësor ndaj Kosovës dhe mbështetjes së procesit të liberalizimit të vizave, Kroacia nuk do të mund të bëjë shumë as në këtë drejtim.

Para pikërisht 20 vjetësh, Kroacia, e cila atëherë në raportet me BE-në dhe NATO-n ishte prapa Maqedonisë dhe Shqipërisë, nisi procesin e përafrimit me BE-në. Në vitin 2000 së pari u bë pjesë e Partneritetit për paqe me NATO-n, hyri në Programin Phare me BE-në (Maqedonia dhe Shqipëria tashmë ishin aty) dhe nisi edhe përgatitjet për një marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në.

Sa për shkak të luftës dhe pasojave të saj, aq edhe për shkak të politikës së Evropës Perëndimore që të bëjë presion ndaj Kroacisë për procesimin e krimeve të luftës, ky shtet kishte humbur disa vite. Por shumë shpejt i kompensoi. Për më pak se gjashtë muaj përmbylli negociatat për MSA-në, dorëzoi në vitin 2003 kërkesën formale për anëtarësim në BE. Mori statusin e kandidatit dhe rekomandimin për nisjen e negociatave një vit më vonë, nisi negociatat në vitin 2005, i përmbylli në vitin 2011 dhe në verën e vitit 2013 u bë anëtare e BE-së.

Në këtë proces Kroacia kishte shumë mbështetje, por ishin tri shtetet të cilat i bënin më së shumti pengesa. Britania e Madhe dhe Holanda para nisjes së negociatave, për shkak se mendonin se Kroacia nuk po bashkëpunonte me Tribunalin e Hagës dhe Sllovenia, e cila donte të përdorte anëtarësinë në BE si mundësi për presion ndaj Kroacisë që të pranonte kushtet sllovene për zgjidhjen e kontesteve rreth caktimit të kufirit.

Pikërisht 20 vjet më vonë, Kroacia, me përvojë mbi gjashtëvjeçare si anëtare e BE-së, ka marrë edhe kryesimin e saj. Ndërkaq Britania e Madhe pikërisht gjatë Presidencës kroate do të largohet nga anëtarësia e Bashkimit Evropian edhe formalisht.

Presidenca kroate ka vënë disa prioritete me të cilat do të merret BE-ja gjatë kryesimit të saj. Ato kanë të bëjnë me ruajtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, luftën kundër ndryshimeve klimatike, përgatitjen e platformës së përbashkët të BE-së për negociatat me Britaninë e Madhe për raportet në të ardhmen, koordinimin e përgatitjeve për nisjen e konferencës për të ardhmen e Evropës dhe si temë që është imponuar vetvetiu negociatat për kornizën shumëvjeçare financiare të BE-së për periudhën 2021-2027. Nga këto tema do të varen jo vetëm zhvillimet e BE-së në pjesën e parë të këtij viti, por edhe për shumë vite në të ardhmen.

ka vendosur t’u kushtojë një vëmendje të veçantë edhe procesit të zgjerimit dhe raporteve të BE-së me vendet e Evropës Juglindore.

Ndonëse Kroacia do të bëjë përpjekje maksimale për të rikthyer besimin në procesin e zgjerimit të BE-së, që do të kulminojë me samitin në Zagreb në fillim të muajt maj, nuk do të duhej të kishte pritje të mëdha. Asnjë vendim i rëndësishëm nuk pritet, ndërkaq sukses do të konsiderohet edhe një vendim eventual për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me gjithë qëndrimin miqësor ndaj Kosovës dhe mbështetjes së procesit të liberalizimit të vizave, Kroacia nuk do të mund të bëjë shumë as në këtë drejtim.

Samiti i Zagrebit në maj të këtij viti shënon edhe 20-vjetorin e një samiti tjetër që ishte zhvilluar në këtë qytet, në atë kohë në organizim të përbashkët të presidentëve të Kroacisë (Stjepan Mesiq) dhe atij të Francës (Jacques Chirac). Në atë samit ishte nisur edhe rrugëtimi drejt BE-së i vendeve të rajonit të Ballkanit.

Por ka shumë gjëra që janë harruar nga ajo kohë. Në pushtet atëkohë në Kroaci ishte Partia Socialdemokrate (SDP), ndërsa në opozitë Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), të cilët protestonin kundër samitit, kundër MSA-së pohonin se ata që po mbështesin nismat rajonale, qofshin ato edhe të mbështetura nga BE-ja, po vërsulen pa vetëdije në një aventurë që do ta kthente Kroacinë në një “Jugosllavi të re”.

Tash 20 vjet më vonë, Kroacia është anëtare e BE-së, si i vetmi shtet i rajonit që ka përmbyllur tërë qarkun, nga MSA-ja deri tek anëtarësimi formal.

Paradoksi tjetër i lidhur me samitin e Zagrebit ishte edhe situata në Serbi. Ky samit në vitin 2000 ishte zhvilluar pas rënies nga pushteti të Slobodan Milosheviqit dhe pasi NATO-ja ishte vendosur në Kosovë. BE-ja dërgonte porosinë se “Në Serbi janë mposhtur forcat e errëta nga e kaluara dhe Serbia është nisur në rrugën nga e ardhmja e ndritshme evropiane”. Pjesëtarë të atyre “forcave të errëta” ishin radikalët e Vojisllav Sheshelit dhe socialistët e Slobodan Milosheviqit, ku ishin edhe dy liderët kryesorë të Serbisë së sotme, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq. BE-ja tash bashkëpunon me liderët, largimin e të cilëve nga pushteti para 20 vjetëve e festonte si një arritje të madhe.

Në ditën e samitit të Zagrebit, bazuar në arkivin e gazetës “Jutarnji Listë”, mund të gjendet edhe një shkrim i publicistit Veton Surroi, me titull “Samiti i shpejtësisë së premtuar tepër lehtësisht”. Surroi në atë shkrim vinte në dyshim shpejtësinë me të cilën premtohej se do të avancojnë vendet e rajonit drejt BE-së. Parashtronte problemin se në këtë samit nuk do të jepej përgjigjja as në pyetjen se sa shtete do të ketë në rajon në të ardhmen dhe se Kosova nuk merrte pjesë fare aty, ndërsa nuk dihej se si do të përfundonte zgjidhja kalimtare e bashkësisë së Serbisë me Malin e Zi. Madje edhe në vetë atë samit kishte ndodhur një përplasje mes presidentit të atëhershëm të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, dhe liderit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Mali i Zi dhe Kosova ndërkohë janë pavarësuar, por Beogradi ende nuk ka hequr dorë nga veprimet që kanë për qëllim të destabilizojnë Malin e Zi dhe Kosovën dhe ta vënë në dyshim vetë ekzistencën e tyre si shtete. Në kushte të tilla BE-ja nuk po gjen fuqi të pengojë politikën e tillë destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve, nëse kemi parasysh edhe rolin negativ që në Bosnjë-Hercegovinë po luan entiteti Republika serbe, e mbështetur nga Beogradi.

Pra situata në rajon nuk është premtuese, rajoni ende nuk ka arritur nivelin e dëshirueshëm të stabilitetit, bashkëpunimi rajonal është shumë i brishtë, ka shumë mospajtime dhe konteste edhe rreth kufijve, Serbia mohon krimet e luftës, gjenocidin, ndërsa të dënuarit i glorifikon.

Pra, pak qëllime që ishin përmendur në samitin e Zagrebit para 20 vjetësh janë përmbushur. Edhe rrethanat në BE kanë ndryshuar. BE-ja ka 12 apo 13 shtete më shumë sesa që i kishte në vitin 2000. Në pushtet dhe në skenën politike në vendet e BE-së kanë ardhur gjeneratat e reja që nuk mendojnë shumë për idealin e bashkimit të Evropës, disa zgjerimin nuk e shohin si përvojë të mirë dhe ky proces nuk është më prioritet.

Nisma kroate për ta kthyer vëmendjen nga zgjerimi dhe nga rajoni është për t’u mbështetur dhe përshëndetur. Por pritjet e mëdha nga samiti i Zagrebit duhet të evitohen, sepse ato mund të përfundojnë pastaj edhe me dëshpërim të madh, siç ndodhi edhe në samitin e Sofjes, kur Bullgaria kishte kryesimin e radhës.

/Botuar në Gazetën Koha në Prishtinë