Gëzuar ditëlindjen Elvis Presley!

Elvis Aaron Presley do të mbushte sot plot 85 vjeç nëse nuk do të ishte ndarë nga kjo jetë më 16 gusht 1977. Elvis u njoh thuajse vetëm me këtë emër në mbarë botën, si këngëtari dhe aktori i papërsëritshëm amerikan. Ai është konsideruar si një nga ikonat më të rëndësishme kulturore të shekullit XX dhe shpesh kujtohet si “Mbreti i Rokenrollit” ose thjesht “Mbreti”.

Presley lindi në Tupelo të Misisipi dhe kur ishte 13 vjeç,  u zhvendos me familjen e tij në Memphis, Tennessee.

Karriera e tij në muzikë nisi në 1954, duke regjistruar në Sun Record me producentin Sam Philips, që dëshironte ta dërgonte  tingullin e muzikës afrikano-amerikanë tek një audiencë më e madhe.

Presley, nën ritmin e një kitare akustike dhe i shoqëruar nga kitaristi Scotty Moore dhe basisti Bill Black, ishte pionier i “rokabilli”, një bashkim i muzikës vendase, ritmit dhe bluzit.

Në 1955, bateristi D.J. Fontana u bashkua për të kompletuar kuartetin Presley dhe RCA Victor fitoi kontratën me të, pas një marrëveshjeje të bërë me Colonel Tom Parker, që do ta menaxhonte Elvisin për shumë dekada.

Albumi i parë RCA i Presley “Heartbreake Hotel” u publikua në janar 1956 dhe u bë hiti numër një në SHBA. Me një seri paraqitjesh të suksesshme në rrjetet televizive dhe radiot, ai u bë figura udhëheqëse e tingullit tmë të ri popullor të rokenrollit.

Interpretimet e tij energjike dhe stili seksualisht provokativ, të kombinuar me një përzierje të fuqishme ndikimesh e ngjyrash në muzikë gjatë një epoke, e bënë atë jashtëzakonisht popullor dhe po aq të diskutueshëm./SYRI.NET