Atentati me snajper/ Kastriot Reçi ulej te cepi i lokalit...

Pronari i një lokali në Rrëshen u ekzekutua të martën me snajper.

47-vjeçari Kastriot Reçi është qëlluar nga tarraca e një pallati, para lokalit të tij. Arma snajper është gjetur pas krimit në katin e parë të pallatit, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar pamjet e autorit, i maskuar, duke u larguar në këmbë.

Vrasja dyshohet të ketë ndodhur me motiv hakmarrjen, për shkak të një historie vrasjesh mes fiseve me influencë në Rrëshen, e nisur në shtator 2016. Pjesë e ciklit të vrasjeve është edhe ajo e vëllait të Kastriotit, Gaspër Reçi, i vrarë me 4 plumba në banesën e tij në Romë vitin 2017.

Bashkëshortja e viktimës, e pyetur nga policia, ka thënë se nuk kishin konflikte.

ABC News raporton sot se hetimet nuk kanë sjellë asgjë të re. Gjetja e snajperit ka vështirësuar punën për gjetjen e autorit. Viktima qëndronte gjithmonë në të njëjtin lokal duke u ulur te cepi i lokalit, për shkak se i druhej një atentati të mundshëm.

Atentatorët kanë gjetur një pikë ku ta godisnin pa u vënë re. Kamerat kanë filmuar autorin i cili ka qënë i maskuar duke bërë të vështirë edhe identifikimin e tij.

Ndërkohë shoqërimi i familjarëve të viktimave nuk ka sjellë asgjë të re, pasi kanë mohuar përfshirjen. Do të jetë shumë e vështirë pasi në Mirditë dhe në tërësi në Shqipëri shumat e ofruara për ngjarje të tilla nuk kanë sjellë gjetje të informacioneve, pasi i druhen një rreziku.