VIDEO/ ‘Na sillni Edi Ramën këtu’... Pasagjerët përplasen me policinë

Qytetarë të shumtë që kishin prerë biletat për të udhëtuar drejt Italisë tek kompania “Fly Ernest” janë konfrontuar me punonjësit e policisë në aeroportin e Rinasit. Pasi “Fly Ernest” anuloi fluturimet edhe pse pasagjerët i kishin blerë biletat, qytetarët janë shfaqur të irrituar.

Ata kërkojnë nga punonjësit e policisë në Rinas që t’iu hapet rruga dhe t’ju lejohet të udhëtojnë sepse kanë harxhuar para për ato bileta, ndërkohë që në sportel nuk ka asnjë punonjës të kompanisë për t’i sqaruar.

“Fly Ernest” nuk lejohet të ulet në aeroport pasi Autoriteti i Aviacionit Civil i pezulloi licencën në 29 dhjetor sepse kishte borxhe në Itali. Por skandali qëndron në faktin se edhe pas vendimit të Autoritetit, kompania vijoi e pashqetësuar të priste bileta për qytetarët deri në datën 13 janar drejt Pizzas, Bergamos dhe Bolonjas.

Qytetarët me të drejtë kanë kërkuar sot të paktën një shpjegim nga ana e “Fly Ernest”, por askush nuk ishte aty për të dhënë përgjigje.

Kjo ka bërë që pasagjerët të shfryjnë inatin me forcat e sigurisë në aeroport pasi nuk po marrin asnjë zgjidhje as për lekët e harxhuara dhe as për punët që i kanë me afat në shtetin italian.

Në një moment, ka edhe konfrontim fizik mes qytetarëve dhe forcave të sigurisë. Pasagjerët kërkojnë që kjo çështje të marrë zgjidhje dhe të angazhohet vetë kryeministri Edi Rama.

Pjesë nga përplasja mes qytetarëve dhe forcave të sigurisë:

Qytetari: Kam 3 ditë që po pres, a jam njeri i shtetit apo s’jam?

Qytetarja: Na hapni rrugën. Rrogën e merrni ju, bëj punën për mua.

Punonjësi i policisë: Rrogën e marr se bëj punën unë. E bëj për të ushqyer familjen time. Ska lidhje kompania me këtu, është në Itali.

Qytetarja: Bjere Edi Ramën këtu se ne të Edi Ramës jemi, votën ia japim

Punonjësi i policisë: Është zgjedhja juaj kjo.

Qytetarja: 400 euro bileta, puna iku atje.

Qytetari: Pse nuk ka avion shteti?

Qytetari: Hape rrugën…

Qytetari: Nuk ke të drejtë me prek persona, mos na prek!

Qytetari: Ore se ka fëmijë.

Qytetari: Mos na prek me dorë!

Qytetari: Këto janë pamjet e policisë shqiptare, shteti shqiptar.