‘Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç duhet’/ Grezda reagon pas largimit nga Rangers

Eros Grezda ka mbyllur aventurën e tij me Rangers në Skoci, teksa tashmë do të vazhdojë karrierën e tij tek Osijek në Kroaci, ku është prezantuar ditën e sotme.

Aventura e sulmuesit shqiptar me Rangers nuk shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme, kjo edhe për shkak të problemeve që kishte në ekip.

Tekniku i skuadrës skoceze, Stiven Gerard, kërkonte largimin e Grezdës me çdo kusht nga ekipi, kjo për shkak të një incidenti që ndodhi me të rinjtë, ku shqiptari pështyu një nga kundërshtarët.

Tashmë largimin e ka konfirmuar edhe vetë futbollisti, i cili nëpërmjet një postimi në “Instagram”, ka shkruar një mesazh lamtumire për klubin.

“Ndonjëherë në jetë gjërat nuk shkojnë siç dëshirojmë, por gjëja e rëndësishme është që kurrë të mos heqësh dorë nga ëndrrat e tua! Uroj gjithë të mirat për shokët e mi të skuadrës dhe klubin”, shkruan Grezda.