Shehi: Do të kapërdija çdo lloj sistemi vetëm që zgjedhjet të bëhen në pranverë

Kryetari i LZHK-së dhe ish-deputeti i Opozitës Dashamir Shehi, gjatë një tryeze diskutimi për ndryshimin e Reformës Zgjedhore, u shpreh se duhet të ndryshojë sistemi, ndërkohë që shtoi se është për një sistem proporcional kombëtar.

Sipas tij, nëse shkojmë në zgjedhje në pranverë, do të kapërdinte çdo lloj sistemi dhe më pas të implementohen ndryshime që garantojnë një proces të drejtë.

“Nëse zgjedhjet do të bëhen me 2021, do bëhen sipas tempit normal, nuk ka kuptim të bëhen me këtë sistem që po implementojmë. Shqipëria duhet të këtë kurajo të ndryshojë sistemin. Nëse zgjedhjet bëhen në pranverë, do ta pranoj këtë gjysëm marrëveshje. Sistemi duhet të ndryshohet nëse zgjedhjet bëhen në 2021. 18 muaj janë një kohë e mjaftueshme që të hyjnë lojtarë të rinj në fushë.

Shqipëria ka nevojë për sistem të ri elektoral që ta bashkojë Shqipërinë. Ky që është sot, e ndan Shqipërinë. Ne krijojmë ndarje këtu në një vend fare të vogël. Na duhet një sistem proporcional kombëtar. Shqipëria ka nevojë që të unifikohet. Unë jam për proporcional kombëtar. Unë jam për sistemin e drejtë. Nëse do të kemi shans që të bëhen zgjedhjet në pranverë, do të kapërdija çdo lloj sistemi. Nëse ne do të votojmë në 2021 ne duhet të ndryshojmë sistemin", u shpreh Shehi.