Dosja e Dritan Dajtit/ SPAK hesht, vendimi bën shumë bujë

Kur një trupë gjyqtarësh vendosi në shkurt të vitit të shkuar që të lehtësojë Dritan Dajtin nga barra e burgimit të përjetshëm për vrasjen e katër policëve, opinioni publik shpërtheu si flakë.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe ndodhej në qeli prej masakrës së vitit 2009. Megjithatë, më 8 shkurt 2019 një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin, duke e dënuar atë me 25 vjet burg.

Edhe pse çështja shqyrtohej në gjykatë prej 10 vitesh, tre gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj vendosën të pranojnë kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar; çka solli uljen e 1/3 së dënimit. Dy gjyqtarët e tjerë në pakicë ishin Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Pak ditë pas vendimit të debatueshëm, Krimet e Rënda urdhëruan kontrolle në shtëpitë e 3 gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin. Më 14 shkurt 2019, policia kontrolloi shtëpitë e gjyqtarëve Skënder Damini në Vlorë e Tiranë, Aleks Nikolli në Lezhë dhe Petrit Aliajt në Sarandë. Në një banesë të Daminit u gjet një shumë prej 20 mijë eurosh.

Por të hënën u tha se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, ka kërkuar mbylljen e dosjes ndaj tre gjyqtarëve. Në media pati një konfuzion, për shkak se nuk dihej nëse kjo ishte një kërkesë që kishte ngelur nga koha e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në drekë, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi kërkesën e SPAK. Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, prokurori i SPAK-ut, Klodian Braho i kërkoi gjyqtares Miliana Muça që të pranojë kërkesën për pushimin e çështjes ndaj tre gjyqtarëve, të cilët u dyshuan paraprakisht për korrupsion.

Megjithatë, gjyqtarja Muça vendosi ta rrëzojë kërkesën e Brahos, duke urdhëruar kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.

“Dosja është kthyer për hetime për tre muaj,” i tha BIRN koordinatorja për të drejtën e informimit në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Dinora Aleksi.

Ndërkohë, SPAK dhe prokurori Klodian Braho nuk iu përgjigjën një kërkese për koment të dërguar përmes zëdhënëses.

Ndër ata që reaguan për çështjen në fjalë ishte ish-kryeministri Sali Berisha, që e quajti një vendim skandaloz të SPAK kërkesën për të mbyllur dosjen. Për Berishën, “vendimi është diktuar nga Edvin Kristaq Dajti”. Jo pak herë, Berisha i ka akuzuar të dy, Ramën dhe Dajtin, për lidhje.