Pasurimi me uranium/ BE apel Iranit: Cënimi i marrëveshjes bërthamore, cënon sigurinë botërore

Josep Borrell, kreu i diplomacisë evropiane, u shpreh i keqardhur për njoftimin e fundit nga Irani, mbi heqjen e të gjitha limiteve për pasurimin me uranium.

“Zbatimi i plotë i marrëveshjes për programin bërthamor nga të gjithë, tani është më i rëndësishëm se kurrë, për stabilitetin rajonal dhe sigurinë botërore”, shkruan Borrell në Twitter.

Ai theksoi gjithashtu se do të punojë me të gjithë pjesëmarrësit për rrugën që do të ndjekin.

Përfaqësuesi i lartë evropian nënënvizoi se Bashkimi Evropian do të mbështetet në punën e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) për vlerësimin e pasojave.

“Ne duhet t’i besojmë asaj dhe të shohim atë që thotë Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, për sa i përket fakteve mbi terren”, theksoi Peter Stano, zëdhënësi i tij, në një konferencë shtypi.

Josep Borrell, ditën e djeshme i bëri një ftesë ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif për të ardhur në Bruksel, duke i kërkuar edhe një herë shtensionimin e situatës në Lindjen e Mesme.

Ambasadorët e vendeve të NATO-s do të mblidhen për të diskutuar mbi krizën mes SHBA-së dhe Iranit.