Aksioni opozitar në 2020-ën/ Lesi: Protestat të nisin e të mos ndalen. Rama njeh vetëm përballjen

Në një intervistë për Syri TV, gazetari dhe botuesi i "Koha Jonë", Nikoll Lesi ka komentuar vitin politik që na pret përpara.

Sipas tij,  gjatë vitit 2019 Edi Rama i mori të gjitha pushtetet, përfshirë edhe mediat, ndaj dhe pesha e pushteteve pritet ta rrëzojë para se këtë gjë ta bëjë opozita.

“Unë jam partizan i një aksioni vendimtar të opozitës këtë vit. Mund të them se, viti 2020 që kemi hyrë duhet të jetë viti vendimtar për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, të padiskutueshme”, u shpreh Lesi.

Botuesi i “Koha Jonë” shtoi se, miratimi i ligjit për fatkeqësinë natyrore po përdoret nga kryeministri Edi Rama për ruajtjen e pushtetit të tij.

“Njerëzit janë të tejngopur me zemërim. Opozita të fillojë e të mos ndalojë. Zemërimi i akumuluar mezi pret të rrëzoijë qeverinë. Duhet të nisin protestat e të mos ndalojnë si vitin e shkuar. Rama, duhet e njohur edhe personalisht, ai është i pandalshëm në uzurpimin e pushteteve nëse nuk del një opozitë ti dalë përballë. Me protestë, me përballje. Rama njeh vetëm përballjen", deklaroi Nikoll Lesi.

Intervista e plotë në Syri TV