Gjykata rrëzon SPAK, kërkoi pushimin e hetimeve ndaj 3 gjyqtareve të Dajtit

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka vendosur që të refuzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për pushim të hetimeve për 3 gjyqtarët Skënder Damini, Petrit Alija dhe Aleks Nikolli.

Këta gjyqtarë akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, duke e shpëtuar nga atë nga burgimi i përjetshëm.

Prokuroria e Posaçme kërkoi pushimin e çështjes për shkak se nuk ka fakte për kryerjen e veprës penale, por vendimi u refuzua nga Gjykata.

Pas nisjes së hetimeve, Policia ekzekutoi edhe një urdhër për kontroll të banesave të tre prej gjyqtarëve. Operacioni u zhvillua në 5 banesa të tre gjyqtarëve, në qytetet Tiranë, Vlorë dhe Lezhë dhe në atë kohë, në banesën e gjyqtarit Skënder Damini u gjet një shumë prej 20 000 eurosh.

Ky i fundit, bashkë me gjyqtarët Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj kishin vendosur pro zbatimit të gjykimit të shkurtuar, ndërsa gjyqtarët Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha ishin shprehur pjesërisht kundër.

Në shkallën e parë, Dajti ishte dënuar me 1 burgim të përjetshëm, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar 4 të tilla. Të dy palët e kishin apeluar vendimin, në një nga çështjet më të zgjatura në gjykatat shqiptare. Deri në këto momente, me kohën e paraburgimit, Dajti ka shlyer gati 16 vite dënim.

Dritan Dajti u shpall fajtor për vrasjen e 4 efektivëve të policisë, gjatë një operacioni për arrestimin e tij në Durrës. Në atë ngjarje mbetën të vrarë policët Altin Dizdari, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska. Ai ishte në kërkim pasi ishte dënuar për një tjetër vrasje të kryer në vitin 1999 në Tiranë, por në verë të vitit 2004 arriti të arratisej nga Gjykata e Tiranës.