Kishat lindore përgatiten për kremtimin e Krishtlindjes më 7 janar

Janë të shumtë të krishterët, pjesa më e madhe ortodoksë, që përgatiten për ta kremtuar lindjen e Krishtit më 7 janar. Ndërmjet tyre, edhe ata të Egjiptit të Epërm, me të cilët bashkohen edhe koptët katolikë. Në intervistën tonë, atë Boules Garas flet për vendin e vet, plot me tensione politike e shoqërore, duke i uruar popullit të tij sidomos paqe!

Vatikani njofton se të martën, më 7 janar, për Kishat lindore katolike dhe Kishat ortodokse, që ndjekin Kalendarin julian, do të jetë dita e Krishtlindjes. Kështu do të jenë në festë të gjitha Kishat e Lindjes së Mesme, por edhe Kisha katolike greko-ukrainase si dhe të krishterët ortodoksë, që jetojnë në Rusi, Bjellorusi, Serbi, Kroaci, Maqedoni, e edhe disa të tjerë. Ne po kujtojmë sot një situatë të veçantë, atë të Egjiptit, ku katolikët e Kairos dhe të Aleksandrisë, me provincat përkatëse, e kremtuan  lindjen e Krishtit më 25 dhjetor, ndërsa ata, që jetojnë në Egjiptin e Epërm, do ta festojnë më 7 janar, së bashku me ortodoksët.

Atë Boules Garas, sekretar i përgjithshëm  i Këshillit të Kishave të Egjiptit, është meshtar katolik, që jeton në Kairo. Në mikrofonet tona, përshkruan atmoferën në të cilën e kremtoi Krishtlindjen, duke kujtuar edhe shpresat që ka për 7 janarin:

Pse koptët katolikë e kremtojnë Krishtlindjen në dy data të ndryshme, sipas rajonit ku jetojnë?

“Thjesht sepse në Egjiptin e Epërm të krishterët janë pakicë. Brenda kësaj pakice, është një pakicë tjetër, edhe më e vogël, katolike: në të njëjtën familje mund të gjesh anëtarë katolikë e ortodoksë. Atëhere kremtojnë së bashku, sepse po qe se katolikët e Egjiptit të Epërm do të festonin më vete,  atmosfera e festës do zbehej shumë. Ndërsa kur festojnë së bashku - katolikë, ortodoksë e protestantë - Krishtlindja ndjehet fort, si festë për të gjithë!".

Egjipti kujtohet shpesh si vend mikpritës, vendi që strehoi Marinë, Jozefin e Krishtin Fëmijë, kur iu desh të iknin nga persekutimi i Herodit. Sa është e pranishme në  vetëdijen e Kishës kopte kjo histori?

“Në kremtimin e festës të vizitës së Familjes Shenjte, një javë më parë,  shkrova e thashë se mikpritja është shumë e rëndësishme në kulturën tonë lindore. Ne strehuam më se tre milionë sudanezë, që janë ende këtu, në Egjipt. Strehuam sirianë, palestinezë… Sepse për ne janë vëllezër. Prej këndej, ajo që thotë Bibla për ne, është shenjë, e cila na fton të vijojmë ecjen në këtë rrugë. Të mikpresim! Ashtu si patëm mikpritur Jozefin, Jakobin e 12 fiset e Izraelit. Për ne mikpritja është virtyt i krishterë e thellësisht ungjillor!”.