Klop entuziazmohet nga japonezi Minamino: Ishte super, lojtari që na duhej

Transferimi i vetëm i Liverpoolit në këtë merkato janari deri në këto momente është Takumi Minamino.

Futbollisti japonez u transferua nga skuadra e Salzburgut, teksa të kuqve iu ra në sy performanca e sulmuesit në ndeshjet e grupeve të Ligës së Kampionëve ku ishin në të njëjtin grup.

Minamino bëri ditën e djeshme debutimin me Liverpoolin në ndeshjen e FA Cup përballë Everton, ku të kuqtë ia dolën të kualifikoheshin.

I pyetur pas ndeshjes për performancën e Minaminon, tekniku Jurgen Klop pati vetëm fjalë të mira duke u shprehur se ishte lojtari që i duhej skuadrës.

“Ai ishte super, i jashtëzakonshëm. Fiks lojtari që na duhej. Ndeshja e parë në një skuadër që nuk e njeh, është shumë e vështirë. Aftësitë e tij ishin të jashtëzakonshme dhe sjellja e tij ishte shumë e mirë. Ai nuk dukej i lodhur, por ende nuk e njohim mirë prandaj vendosa ta zëvendësoj”, u shpreh Klop.