Lazio dënon thirrjet raciste të tifozëve te saj kundër Balotellit

Lazio i ka dënuar thirrjet raciste ndaj Mario Balotellit që tifozët e vet i bënë gjatë një ndeshjeje në Serie A kundër Brescia, duke u zotuar se do të marrë masa ligjore ndaj përgjegjësve.

Ndeshja, të cilën Lazio e fitoi 2-1 ndaj Brescias, u ndërpre për dy minuta kur u dëgjuan thirrjet ofenduese drejtuar Balotellit, përfshirë disa të natyrës raciste.

Spikeri i stadiumit “Mario Rigamonti” në Brescia u bëri thirrje gjatë ndeshjes tifozëve që të mos këndojnë këngë diskriminuese.

Balotelli postoi një mesazh në rrjetet sociale pas fitores së Lazios 2-1 ndaj Brescias.

“Tifozë të Lazios që ishit të pranishëm në stadium sot: Të keni turp!”, shkroi Balotelli në Instagram, duke bërë thirrje për ndaljen e racizmit.

Tani ka reaguar edhe Lazio përmes një komunikate për mediat.

“Siç ka bërë gjithmonë në të kaluarën, Lazio i dënon sjelljet diskriminuese nga një komunitet i vogël i tifozëve gjatë ndeshjes kundër Brescias”, thuhet në komunikatën e Lazios.

“Klubi e ripërsërit se e dënon një sjellje të tillë të paarsyeshme dhe konfirmon se do t’i ndjekë ligjërisht tifozët përgjegjës”, thuhet tutje në njoftim.