Deputetja deklaron se është panseksuale: Është befasuese, pasi më parë kam patur vetëm partnerë meshkuj

Deputetja e Britanisë së Madhe, Layla Moran ka rrëfyer se është panseksuale. Në një intervistë për PinkNews, Moran tregoi se prej një viti është në një lidhje dashurie me një grua tjetër. Kjo nuk ishte një surprizë vetëm për njerëzit që e morën vesh nga kjo intervistë, por ishte surprizë edhe për vetë deputeten, e cila më parë ka pasur lidhje vetëm me meshkuj. Moran e përshkroi lidhjen me partneren e saj, Rosy Cobb, si “të mrekullueshme”.

“Panseksualiteti për mua do të thotë të mos të të interesojnë atributet fizike të personit me të cilin bie në dashuri, por ajo që ka rëndësi është vetë personi”, -është shprehur ajo duke folur për herë të parë hapur për orientimin e saj seksual, në mënyrë që të ndërgjegjësojë njerëzit rreth kësaj çështjeje.

Nuk është çudi të mos e dini se çfarë është panseksualiteti. Pak kohë më parë, nisur nga një deklaratë e aktores Bella Throne, kemi bërë një artikull ku kemi folur rreth këtij termi.

Panseksualiteti (ose omniseksualiteti) është tërheqja seksuale, romantike apo emocionale, pavarësisht seksit, orientimit seksual apo identitetit gjinor. Pra, panseksual është një njeri që tërhiqet nga kushdo dhe seksi apo gjinia nuk janë faktor përcaktues në tërheqjen e tyre romantike apo seksuale ndaj të tjerëve.

Panseksualiteti ndryshon nga biseksualiteti, pasi njerëzit panseksualë janë të hapur ndaj marrëdhënieve me transeksualët apo me njerëz që nuk janë përcaktuar nëse janë femra apo meshkuj. Pra, panseksualiteti është më gjithëpërfshirës se biseksualiteti.