'Një ferr i vërtetë'! Pamje apokaliptike nga Australia, i gjithë kontinenti në flakë

Pamje apokaliptike ato që vijnë nga Australia e largët, aty ku prej javësh, zjarret e fuqishme po rrafshojnë gjithçka u del përpara.

Zjarret mund të zgjasin edhe me muaj, ka deklaruar kryeministri i vendit Scott Morrison, i cili ka njoftuar angazhimin më të lartë ushtarak në histori. 3000 rezervistë do të zbresin në terren  për përballimin e kësaj situate.

Kryeministri ka bërë me dije, po ashtu, se agjencia e rimëkëmbjes, e ngritur së fundmi, do të funksionoj për të paktën 2 vitet në vijim për të ndihmuar personat që kanë mbetur të pastrehë apo ata që humbën bizneset nga zjarret.

Ndërkohë, imazhe të tmerrshme janë publikuar teksa një kodër është e përfshira e tëra nga zjarri në një zonë rurale në Viktoria.

Që nga fillimi i zjarreve ne muajin shtator, numërohen 24 viktima dhe dhjetëra të zhdukur, ndërsa autoritetet deklarojnë se ditët e vështira për Australinë, nuk kanë mbaruar ende.