Drejtori i Atalantës vëzhgon Marash Kumbullën në sfidën me SPAL-in

Atalanta po e merr seriozisht transferimin e qendërmbrojtësit Marash Kumbulla.

Eksperti i merkatos italiane të futbollit, Nikolo Skira, shkruan se në takimin e sotëm midis SPAL-it dhe Veronës, drejtori i klubit të Atalantës, Xhovani Sartori, ishte në stadiumin “Paolo Maca” për të vëzhguar futbollistin e Shqipërisë, Kumbulla, dhe mbrojtësin e SPAL-it, Igor.

Kujtojmë që prej disa muajsh, Interi, Juventusi, Napoli dhe ekipe të tjera italiane kanë shprehur admirim për 19-vjeçarin shqiptar, i cili renditet ndër futbollistët më premtues të kampionatit italian.

Verona arriti të fitonte pastër ndaj SPAL-it 0-2, duke marrë 3 pikë të çmuara në kampionatin italian si dhe nisi me këmbën e mbarë vitin 2020.