Aksidenti tragjik me dy të vdekur në Tiranë, ja pse të dy shoferët janë fajtorë

Dy ditë pas aksidentit tragjik që ndodhi në zonën e Porcelanit, ku nga përplasja e 2 mjeteve humbën jetën 2 këmbësorë, të cilët ishin në trotuar, Erjon Balla, 36 vjeç, dhe Hidajete Salliu, 73 vjeç, eksperti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti, nisur nga pamjet e kamerave të sigurisë që filmuan momentet, thotë se të 2 mjetet që shkaktuan aksidentin kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

‘Të dyja mjetet të cilat kanë qenë duke përshkuar këtë aks rrugor kanë qenë në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Edhe mjeti ‘Volkswagen’ ngjyrë të zezë që ka qenë duke u kthyer nga krahu i djathtë i rrugës për  në krahun e majtë për tu futur në rrugën e dytësore, duhet të ishte afruar përbri vijave të bardha, pra duhet të bënte një kthim të sigurtë duke parë nga pasqyra. Po kështu edhe mjeti ngjyrë gri ka bërë një parakalim jo të të sigurtë, ka qenë shpejt dhe nuk ka pasur kujdesin maskimal për mjetet e tjera që ka qenë në rrugë. Kjo bazohet në nenin 139 të Kodit rrugor’

Eksperti i sigurisë rrugore vëren se në zonë mungojnë sinjalistikat që të detyrojnë drejtuesit e mjeteve të ulin shpejtësinë apo sinjalistikat paralajmëruese që të njoftojnë se ka kthim në rrugët dytësore apo ka vendkalim për këmbësorët.

Problematike Ziçishti sheh dhe ndarjen e kësaj rruge në 3 korsi, çka bën që drejtuesit e mjeteve që janë në ngjitje të detyrohen të shkelin vijën e pandërprerë, nëse duan të parakalojnë.

Si zgjidhje për uljen e numrit të aksidenteve Ziçishti shikon monitorimin e çdo aksi me kamera dhe ndëshkimin e rrepte të shkeljeve në mënyre që drejtuesit e mjeteve të ndërgjegjësohen për përgjegjësinë që duhet të kenë, kur vendosin të drejtojnë një makinë.

Gjatë vitit që lamë pas 218 persona humbën jetën, si pasojë e aksidenteve rrugore. Vetëm në 4 ditët e para të këtij viti 3 njerëz humbën jetën në aksidente, vetëm në kryeqytet./bw