Pacolli kërkon lirimin e kosovarit të arrestuar në Serbi: Ndal përndjekjeve politike

Ministria e Jashtme e Kosovës ka kërkuar sot lirimin e menjëhërshëm të shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj, që u arrestua nga Policia e Serbisë të premten në pikën kufitare Merdare, ndërkohë që po vinte nga Zvicra në Kosovë.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli deklaroi sot përmes rrjeteve sociale se “ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.

Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve.”