Dy arrestime 'blic' në Korçë për vdekjen e punëtorit nga vinçi

Policia e Korçës ka arrestuar dy persona të dyshuar se shkaktuan vdekjen e punëtorit Elvis Josifi nga rënia e vinçit dhe plagosjen e një punëtori tjetër.

Të arrestuarit në vendin e ngjarjes me akuzën e shkeljës së rregullave të mbrojtjes në punë janë përgjegjësi teknik dhe manovratori i firmës së ndërtimit, që kryente punime në pallat.

Policia tha se “në vijim të veprimeve hetimore të kryera për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 3 janar 2020, ku në lagjen nr.9, në një pallat në ndërtim, gjatë punës u aksidentuan dy punëtorë, njëri prej të cilëve për pasojë gjeti vdekjen, ndërsa tjetri ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën -  sqarojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

 F.P., 67 vjeç, banues në Korçë, me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit dhe A.Z., 41 vjeç, me detyrë manovrator.

Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.