Aksidenti me dy viktima/ Zbardhen dëshmitë e shoferëve të arrestuar

Zbardhet pjesë nga dëshmia e dy drejtuesve të mjeteve që u arrestuan ditën e djeshme pas aksidentit tragjik me dy të vdekur në zonën e ‘Xhamllikut’. Edmond Murati dhe Etjon Lazri u arrestuan menjëherë nga policia.

Nga testi që iu bë ka rezultuar se nuk kishin konsumuar alkool, ndërsa vijojnë hetimet.

Report Tv ka zbardhur pjesë nga dëshmia e tyre para grupit hetimor. “Nuk e dimë si ndodhi, pamë vetëm kur u përplasëm”, mësohet se kanë thënë dy shoferët e arrestuar.

Por si ndodhi aksidenti? Dje rreth orës 15:15, Erion Balla 36-vjeç dhe një grua e moshës 72-vjeçe ishin duke ecur në trotuar pranë vijave të bardha kur u përplasën nga njëra prej makinave dhe si pasojë humbën jetën. Report Tv publikoi edhe pamjet e aksidentit, duke treguar momentin si u përplasën për vdekje dy personat.

Në aksident u përfshinë ‘Volkswageni New Beatle’ ngjyrë gri me targa ‘AA 544 SX’ që drejtohej nga Etjon Lazri që po lëvizte me shpejtësi duke përplasur ‘Golfin’ ngjyrë blu me targa ‘AA 758 YZ’ me drejtues Edmond Muratin që po tentonte të futej në majtas rrugës. Nga shpejtësia si pasojë e përplasjes së ‘Golfit’, ‘Volkswageni New Beatle’ përfundoi jashtë rrugës duke përplasur për vdekje 36-vjeçarin dhe 72-vjeçaren.