Kurti flet për 'faktorë të mbrapshtë'/ 'Po blihet kohë për të vonuar formimin e qeverisë'

Parlamenti i Kosovës u konstituua, por qeveria nuk është formuar ende. Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili është edhe pretendenti kryesor për marrjen e kryesimit të qeverisë, në një intervistë ekskluzive për "360 gradë" në Ora News, shprehet se, po blihet kohë për të vonuar formimin e qeverisë.

Sipas tij, fitorja e VV mund të ketë lënë të pakënaqur faktorë të ndryshëm, ndërsa foli edhe për faktorë të mbrapshtë brenda vendit.

Biseda në studio:

Artur Zheji: Çfarë fshihet pas kësaj vonese, nëse fshihet diçka?

Albin Kurti: Çka fshihet nuk mund ta di saktësisht as unë, por se fshihet kjo shihet...

Artur Zheji: A që diçka fshihet dihet, por çka fshihet nuk dihet?

Albin Kurti: Mund të mos e shohësh se çfarë ka prapa perdes, por perden e sheh...

Artur Zheji: Po perdja lëviz?

Albin Kurti: Perdja lëviz...

Artur Zheji: Po e marr atë metaforën e mirëqene që është ajo perdja që lëviz, prapa perdes lëvizin ca krijesa që jetojnë prapa perdes, pra që nuk kanë guximin dhe kurajën të jetojnë në skenë. Në Shqipëri ata që merren me këtë gjë thonë që ndoshta fitorja juaj ka qenë aksidentale e paparashikuar, për disa kancelari të rëndësishme ndërkombëtare që vendosin jo vetëm politikën në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe nëse bie shi apo nëse bie breshër, komenti juaj?

Albin Kurti: Unë nuk e besoj këtë gjë, sepse ka mjaftueshëm faktorë të  prapshtë brenda vendit që nuk ka nevojë askush ti ndihmojë prej jashtë për këtë gjë. Fitorja e VV mund ti ketë lënë të pakënaqur faktorë të ndryshëm dhe ajo që po ngjan tani nuk do të thoja se është tendencë për ta ndryshuar rezultatin, por për ta vonuar qeverinë e re. Pra, çfarë po bëhet është që po blihet kohë, e cila do të mund të përdorej për dy gjëra. Njëra është që ata që kanë përjetuar këtë tronditje të thellë nga fitorja politike e VV dhe e opozitës në përgjithësi ta marrin veten, të sinkronizohen me realitetin e ri, por nga ana tjetër kjo kohë do të mund t'i nevojitej për ti bërë disa prapështësi të fundit brenda institucioneve të sistemit, siç është punësimi i njerëzve të caktuar në pozita të caktuara, emërimet e ndryshme e kështu me radhë.

Artur Zheji: Pra kemi të bëjmë me lëvizje taktike jo strategjike

Albin Kurti: Taktike, është një tezë që thotë se taktika ngjan në kohë dhe strategjia në hapësirë.