Nisin vitet '20/ Bota shpreson te dekada e artë

Miliona njerëz në mbarë botën festuan mbërritjen e vitit 2020, që nënkupton nisjen e një dekade të re.

Por në kujtesë vijnë vitet '20 të shekullit të shkuar, që janë bërë të famshme në historinë botërore. Ato njihen si vitet e arta dhe bota shpreson se do ripërsëriten.

Vitet '20 njihen për zhvillimin e shpejtë ekonomik në SHBA dhe Europë. Qytetet e mëdha si Berlini, Çikago, Nju Jorku, Londra e Parisi u bënë epiqendrat e këtij zhvillimi.

Për historianët, ato ishin vitet e çmendura, kur kultura dhe arti njohën një tjetër dinamikë.

Xhazi lulëzoi, femrat nisën të shfaqen me një look të ri dhe 'Art Deco' ishte në kulm.

Kjo ishte periudha kur automjetet nisën të përdoren në shkallë të gjerë, telefonat, filmat, radio dhe pajisjet e tjera nisën të ndryshojnë jetën e miliona njerëzve.

Gratë filluan të fitojnë të drejtën për të votuar, duke shënuar një ndryshim të madh.

Shpirti i Viteve 20 lidhej kryesisht me modernitetin dhe shkëputjen nga traditat. Edhe sporti njohu një vrull të pazakontë.

Kjo dekadë vinte pas Luftës së Parë Botërore dhe u mbyll në mënyrë brutale nga Depresioni i Madh. Më pas erdhi edhe Lufta e Dytë Botërore.