Imzot George Frendo: Të rizbulojmë vlerat shpirtërore në Shqipëri, politika të gjejë rrugën e dialogut

Edhe në këtë fund viti nuk ka munguar thirrja e përsëritur e klerikut katolik, imzot George Frendo për dialog.

I ftuar në Ora News, Kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit është shprehur se, shoqëria shqiptare ka nevojë për të rizbulojë vlerat shpirtërore dhe këtu nënvizon rolin që kanë besimet fetare.

E ndërsa politikës i kërkon dialog për të gjetur zgjidhjet e duhura për popullin e tyre.

"Dëshira ime e madhe është që të rikrijojmë një shpirt në shoqëri. Të rizbulojmë vlerat shpirtërore në Shqipëri. Për këtë besimet kanë një mision të rëndësishëm në shoqëri. Vërtet politikanët mund të ndryshojnë strukturat por janë vetëm besimet që mund të ndryshojnë zemrat dhe të krijojnë një shpirt në shoqëri. Populli shqiptar e do paqen dhe shpresoj që viti i ardhshëm të sjellë më shumë siguri. Flas si një katolik i krishterë. Gjithë Bibla është shprehje e dialogut mes Zotit dhe popullit. Uroj të përjetojmë dialog në çdo nivel, dialog me Zotin, dialog brenda familjes, dialog mes politikanëve. Me vullnet të mirë politikanët tanë të kërkojnë rrugën e dialogut për të gjetur zgjidhje për të cilën populli ynë ka të drejtë", u shpreh Imzot George Frendo.