Cassano ngre në qiell Ibrahimovic: Vetëm Ronaldo dhe Van Basten ia kalojnë

Vetëm legjenda e Brazilit, Ronaldo, dhe ikona holandeze, Marco van Basten, ulen përpara Zlatan Ibrahimoviç, kur bëhet fjalë për sulmuesit "9" më të mirë të 30 viteve të fundit. Kështu mendon ish-shoku i skuadrës së suedezit në Milano, Antonio Cassano. Pas shumë spekulimeve në lidhje me lëvizjen e tij të radhës, 38-vjeçari ka vendosur të kthehet në një mjedis të njohur, atë kuqezi, në futbollin europian, pas aventurës amerikane.

Cassano është i bindur se Ibrahimoviç mund "të lulëzojë" përsëri në Itali, pavarësisht viteve që ka mbi supe. Ish-sulmuesi i Juventusit dhe Interit nuk tregoi asnjë shenjë të ngadalësimit në MLS. Ai mbetet ekzemplar mbresëlënës fizik, që kurrë nuk ka pasur ndonjë problem, kur bëhet fjalë për vetëbesimin. Ibrahimoviç ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme në nivelin më të lartë, me trofe të fituar në Hollandë, Itali, Spanjë, Francë dhe Angli.

Përfshirja e tij në mesin e të mëdhenjve të të gjitha kohërave tashmë është e sigurt, me Cassano që pranon se janë të paktë ata që mund të pretendojnë të jenë afër sulmuesit suedez. Ish-talenti barez tha për "Sky Sport Italia": "E prisja këtë kthim. Gjithmonë thoja që, nëse kthehej në Itali, do ta bënte këtë vetëm për Milanin. Ai është shumë i dashur për qytetin dhe këtë klub. Pas Ronaldos dhe Marco van Basten, unë do të them se Ibrahimoviç është numri 9 më i mirë i 30 viteve të fundit. Ai është ende fenomenal, pavarësisht moshës. Zlatan i bën shokët e tij të skuadrës të japin 110 për qind dhe ende mund të bëjnë ndryshimin në Serie A. 

Ai do t'i japë tjetër moral Milanit, edhe pse 80-85% e skuadrës aktuale nuk e meriton fanellën kuqezi. Jam i sigurt që Ibra do të marrë më të mirën prej tyre, sepse, nëse bashkëlojtarët nuk japin 100% në çdo seancë stërvitore, ai ngre zërin. Kur ai e bën këtë, do të ishte mirë që të frikësoheni. Unë, gjithashtu, kam besim te Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban, puna e tyre duhet parë me më shumë durim.

Ata e kanë marrë Ibrën tani, flitet për Jean-Clair Todibo nga Barcelona, kështu që mendoj se Milani mund të rikthehet në krye për dy-tri vite".