Viti i ri nis i ‘ngrirë’/ Parashikimi i motit për datat 1-2 Janar

Vendi ynë vijon të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike duke bërë që moti të jetë i kthjellët si në orët e para të mëngjesit dhe i tillë do të vijojë deri në fund të ditës.

Për tu theksuar është se për shkak të masave ajrore të ftohta temperaturat në vlerat minimale sot u regjistruan -7ºC në zonat malore, -4ºC në zonat e ulta dhe 1ºC në ato bregdetare dhe për kryeqytetin -2ºC.

Sa i përket temperaturave të mesditës ato arritën vlerën më të lartë deri në 13ºC në zonat e ulta dhe ato bregdetare, bën të ditur Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Ditët me diell do të vijojnë dhe po kështu dita e parë e vitit te ri do të jetë me mot me diell në të gjithë territorin.

Temperaturat e mëngjesit do të vijojnë të jenë të ftohta edhe pse pritet një rritje e tyre prej 1-3ºC për ditën e nesërme. Për shkak të temperaturave negative duhet patur kujdes nga ngricat e forta kryesisht në zonat malore dhe ato kodrinore.

Temperaturat pritet të ndihen të ulta edhe për shkak të erës e cila nesër pritet të fryjë intensive me shpejtësi mesatare 3-10m/s me drejtim nga kuadrati i veriut. Përgjatë vijës bregdetare, zonat e ulta dhe zonat luginore era hera-herës fiton shpejtësi deri në 20-25m/s.

Për datën 02.01.2019 moti do të vijoj të jetë i kthjellët në të gjithë territorin. Por për këtë ditë pritet përsëri një rënie e ndjeshme e temperaturave në vlerat minimale duke prekur në zonat malore vlerat prej -8ºC në zonat malore, -5ºC në zonat e ulta dhe 0ºC në ato bregdetare.

Sa i përket vlerave të mesditës ato si këto ditë nuk do të kalojnë vlerat prej 12-13ºC në zonat e ulta dhe ato bregdetare.