Seks, vota, drogë e granata/ Sa shumë është kalbur pushteti vendor i PS

E keqja që ka kapur për fyti Shqipërinë prej kohësh i ka rrënjët te pushteti vendor. Ajo është 'themeluar' nga Edi Rama dhe pasi është ushqyer me krim dhe korrupsion, ka dalë prej andej dhe ia ka marrë frymën pushtetit qendror dhe demokracisë në vend.

Kjo e keqe e madhe që po shkatërron qytetet, vendin, ekonominë dhe perspektivën evropiane të vendit, duhet zhdukur. Pushteti vendor duhet rithemeluar nga e para.

Çdo ditë kjo po bëhet një nevojë urgjente për vendin. Çdo qytetar duhet ta kuptojë se e keqja duhet goditur aty ku ka rrënjët.

Kjo e keqe goditi edhe në ditën e fundit të vitit 2019. Kryebashkiaku i Lushnjës u sulmua me granatë në zyrën e tij nga ish-krahu i djathtë i tij. Të gjithë të dhënat tregojnë se sa shumë është kalbur pushteti vendor i socialistëve.

Pak ditë më parë, në mesin e një hetimi për një rrjet prostitucioni, dolën të dhëna që tregojnë se njerëz publikë janë investuar për të blerë vota për votimet monopartiake të 30 qershorit. Drejtësia e ka shumë të lehtë të gjejë rrënjët e këtij krimi, por ajo nuk e ka ndërmend për momentin të merret me problemin më të madh të vendit.

Kalbjen e sistemit vendor socialist nën peshën e korrupsionit dhe krimit e provoi në mënyrë fatale dhe të frikshme tërmeti i 26 nëntorit.

Çdo ditë që po kalon vetëm sa po provon nevojën për të çliruar qytetet shqiptare. Viti që vjen duhet të sjellë zgjedhje të parakohshme vendore për të zhbërë këtë të keqe. Përndryshe do jetë shumë vonë.