'Prishje pazaresh droge', PD: Personi që sulmoi kryebashkiakun, trafikant që i financoi fushatën

Partia Demokratike ka reaguar me nota të ashpra dhe ka dhënë fakte tepër të rënda, lidhur me atentatin që ndodhi sot ndaj kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe, personit që e kreu atë dhe motivet që e shtynë.

Në deklaratën e PD thuhet:

"Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Bashkinë e Lushnjës është pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama në çdo nivel, në qeverisjen qendrore dhe atë lokale. Të gjitha rrethanat tregojnë se goditja e kryebashkiakut të Lushnjës është prishje pazaresh mes tij dhe ish-shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni.

Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish- shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes.

Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij. Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, është tregues i degradimit të shtetit të ndërtuar prej Edi Ramës, si dhe një fakt më shumë se njerëzit me të cilët ai përfaqësohet, ble vota dhe mban pushtetin janë llumi i shoqërisë. Për Partinë Demokratike ka vetëm një mënyrë për të dalë nga kjo krizë përfaqësimi.

Këto janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë, të cilat do të largojnë nga drejtimi i vendit kryeministrin me rekordet më të zeza të lidhjeve me krimin dhe korrupsionit dhe për t’u dhënë qytetarëve një qeveri që punon për mirëqenien dhe sigurinë e tyre."