'Shyqyri Rreli'/ Ilir Meta: Futbollist dhe trajner i jashtëzakonshëm!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimin për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Shyqyri Rreli.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta kujton arritjet historike të Shyqyri Rrelit si trajner i Shpresave dhe me klubin e Tiranës me të cilat arriti nivele të larta ndërkombëtare.

 

Reagimi i plotë nga Ilir Meta:

Sot u nda nga jeta një personalitet i jashtëzakonshëm i sportit dhe i futbollit kombëtar Prof.Shyqyri Rreli. E gjithë jeta e tij ishte në shërbim të zhvillimit të sportit e në veçanti futbollit.

Kontributi i tij i gjithanshëm si një futbollist kampion, por edhe si një trajner i arritjeve historike në drejtim të Ekipeve Shpresa në nivelet më të larta ndërkombetare, të Ekipit Kombëtar dhe të ekipit të jashtëzakonshem të Tiranës (17 Nëntori) të viteve '80, meriton nderim dhe respekt.

Edhe sot kemi emocione kur kujtojmë Ekipet Kombëtare Shpresa që me këtë trajner të madh fitonin kampionatet ballkanike dhe mundnin ekipet më të forta të kontinentit, apo Kombëtaren e jashtëzakonshme që nënshtronte 2 me 0 Belgjiken e Pfafit, Shifos dhe Kulemansit, duke guxuar për t'u kualifikuar në kampionatin botëror të Meksikës.

Ne sot kujtojmë Tiranën (17 Nëntorin) e Prof. Rrelit si një kampione e jashtëzakonshme, por edhe fituese ndaj shumë ekipeve të mëdha në ndeshjet ndërkombëtare. Sepse profesori dinte të krijonte frymën e ekipit dhe t'i edukonte me ndjenjën e fitores lojtarët e tij duke e ngritur në një stad të ri futbollin tonë në arenën ndërkombëtare.

Kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm sepse arritjet dhe kontributet e tij mbeten historike dhe frymëzuese për të ardhmen. E ndaj sot dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta me Familjen Rreli dhe gjithë botën e futbollit dhe sportit shqiptar.

U prehtë në paqe shpirti i tij!