Çfarë ndodh tani që Teatri Kombëtar kaloi në ‘dorën’ e Kushtetueses?

Ndërkohë që retorika mes kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe aktivistëve që mbrojnë Teatrin Kombëtar, ishte përshkallëzuar, një njoftim interesant erdhi nga Gjykata Kushtetuese.

Një shkresë e shpërndarë edhe në media tregon se Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë në shqyrtim kërkesën e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e ligjit që i hap rrugën projektit të Teatrit të ri Kombëtar, duke e kaluar çështjen në seancë plenare.

Për këtë, Gjykata Kushtetuese i është drejtuar me shkresë 5 institucioneve, duke kërkuar që deri më datë 22 janar 2020 të dërgojnë argumentet e tyre mbi këtë çështje.

Shkresat u janë dërguar para katër ditëve Ministrisë së Financave, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës, Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, ku theksohet se argumentet e këtyre institucioneve çmohen si të domosdoshme për zhvillimin korrekt të gjykimit.

Vendimi për të kaluar çështjen në seancë plenare me dyer të hapura është marrë nga Kolegji i Gjykatës Kushtetuese më datë 24 dhjetor 2019, ndërkohë që në bazë të Ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, për ta gjykuar çështjen në seancë nevojitet një kuorum prej 6 anëtarësh.

Por deri më tani Gjykata Kushtetuese ka vetëm katër anëtarë. Një vendim për pezullimin e efekteve të ligjit do të ishte i pamundur për momentin.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa paradite protestoi përpara Bashkisë së Tiranës duke kërkuar transparencë informative për ligjin mbi teatrin. Fakt është se seanca e Kushtetueses do të ofrojë së paku më shumë transparencë për këtë çështje.

Erion Veliaj ka paralajmëruar se në janar do të nisë prishja e Teatrit Kombëtar për t’i hapur rrugë projektit të ri.

Mbetet të shihen zhvillimet në vazhdim, në një kohë kur Kushtetuesja e ka dhënë një sinjal se çdo veprim me Teatrin Kombëtar do të jetë më i komplikuar tani që çështja është në dorën e saj, edhe pse pa numrin e anëtarëve të nevojshëm.