Pasojat e tërmetit/ Qeveria po menaxhon krizën me 'tollona' qeraje

Nga Edmond Panariti/

Menaxhimi i krizes me "tallona" qeraje të pastrehëve pas termetit nuk është zgjidhje! Sepse në vendet e zhvilluara administrimi i nevojave urgjente të strehim akomodimit pas katastrofës behet në mënyre të centralizuar!

Nëse strehimi i mbi dhjetë mijë të pastrehëve të termetit te futur provizorisht në çadra dhe hotele, do t'i lihet një bonusi qeraje me vlere mesatare 15 mije lekë në muaj, për të cilin duhen plotësuar dhe një tufe formularesh, atëherë procesi do të futej në pasiguri dhe kaos. Qeveria thjesht, do të "lante" duart, nga përgjegjësia menaxhuese e drejtperdrejtë e situates dhe kundrejt një sasie parash do t’ja linte zgjidhjen e strehimit, popullatës së traumatizuar dhe të trembur nga fatkeqësia që e goditi.

Por ketu dalin dy probleme! Sëpari është e dyshimtë që edhe nëse livrohet, kjo sasi parash të mjaftojë për qiratë mujore familjare në qarqet Tiranë, Durrës etj. Sepse që tani po vihet re një rritje spekulative e çmimeve të qerave. Sëdyti, familjarët e pastrehë do ti drejtoheshin në mënyrë individuale një tregu të pa stabilizuar dhe në një masë të madhe ende informal, gjë që do ti shtonte akoma më shumë stres dhe pasiguri, situatës së tyre të rënduar.

Po si i bëhet? Vetëm Qeveria, ka autoritetin për të negociuar dhe kontraktuar me ndërtuesit sasinë e apartamenteve stok, e cila ekziston madje me tepri, sepse vetëm në dy qarqe Tiranë dhe Durrës, numri i apartamenteve bosh eshte mbi 3000. Numër i mjaftë ky, për të strehuar mbi 10 mijë të pastrehët deri në një zgjidhje përfundimtare. Duke qenë kontraktore e vetme dhe me shumicë, pa dyshim që qeveria do të kishte mundësi për çmime favorizuese të qerave, pa llogaritur që ajo zotëron edhe instrumenta fiskale që vetem ajo mund ti zbatojë. Por sigurisht është me kollaj ta heqësh nga vetja dhe t’ja lesh zgjidhjen përleshjes Individ - treg, ku i humbur del gjithnjë i pari.