Britanikja që akuzoi të rinjtë izraelitë për përdhunim shpallet fajtore për mashtrim

Një vajzë britanike është shpallur fajtore për akuzë të rreme ndaj 12 të rinjve izraelitë, për të cilët kishte thënë se e kanë dhunuar seksualisht në grup në kohën kur po i kalonte pushimet verore në Qipro.

Britanikja 19-vjeçare është mbajtur në ndalim në Qipro nga muaji korrik, fillimisht në burg e më vonë në shtëpi të sigurtë. Ajo u detyrua ta dorëzojë pasaportën pasi e kishte tërhequr akuzën se turistët izraelitë e kanë dhunuar atë në dhomën e hotelit.

Ajo i kishte thënë policisë qipriote se 12 izraelitë të moshës 15 deri 22-vjeçare e kishin dhunuar atë në hotelin “Ayia Napa” në korrik të këtij viti.

Personat që i akuzoi vajza ishin arrestuar menjëherë dhe ishin dërguar në mbajtje.

Sidoqoftë, britanikja e kishte ndryshuar deklaratën më pak se një muaj pasi e kishte bërë akuzën e rëndë. Djemtë e akuzuar më pas u liruan dhe u kthyen në Izrael.

Kështu, shtetasja britanike tanimë nuk trajtohej si viktimë, por si e dyshuar për deklaratë të rreme për vepër penale.

Ajo mund të dënohet me më shumë se një vit burgim dhe me gjobë prej më shumë se një mijë eurosh, shkruan “The Guardian”.