Kur ‘Princi’ shqiptar i drogës do rrëmbente Princin e Kurorës

Portali i specializuar britanik, Royal Central, ka publikuar së fundmi detaje nga një histori e shumëpërfolur në botën e mbretërive europiane.

Bëhet fjalë për një plan për rrëmbimin e Princit të Kurorës në Norvegji në vitin 1999.

Përpjekja për pengmarrjen e Princit Haakon është mbajtur sekret për një kohë të gjatë.

Po kush do e rrëmbente atë?

Bëhet fjalë për një tjetër ‘princ’. Në vitin 1999, mafia shqiptare kishte në plan të rrëmbente Princin Haakon.

Lideri i mafias, kosovari Princ Dobroshi drejtonte një rrjet që trafikonte heroinë në Europë në atë kohë. Në vitin 1993 ai ishte arrestuar në Norvegji dhe në vitin 1994 u dënua me 14 vite burg për trafik heroine. Në një operacion të koordinuar, ai u arratis nga burgu në vitin 1997, duke udhëtuar drejt Kroacisë ku iu nënshtrua një operacioni plastik në fytyrë. Më vonë u vendos në Çeki, ku dominoi trafikun e drogës. Në vitin 1999 u kap dhe u rikthye në Norvegji për të mbaruar dënimin.

Në atë kohë, mafia shqiptare planifikonte të rrëmbente Princin e Kurorës për ta përdorur si shkëmbim për lirimin e kreut të mafias nga burgu.

Menjëherë u shtuan masat e sigurisë rreth Princit. Në janar të vitit 2000, Dobroshi u lirua dhe u dërgua në Kosovë, ku jeton prej asaj kohe. Së fundmi, Dobroshi u arrestua pas një sherri banal në Pejë.