‘Flamurin e qëlluan pas shpine, po kthehej në shtëpi’

Katër shqiptarë humbën jetën brenda pak ditësh për shkak të dhunës mes bandave të drogës në Angli, raportojnë mediat britanike.

Vrasja më e bujshme ishte ajo e Flamur Beqirit, i njohur si producent muzikor.

Beqiri u vra në pragun e banesës së tij me vlerë 1.7 milionë sterlina, shkruan Daily Mail.

Atë e qëlluan në shpinë kur sapo ishte kthyer në shtëpi me të shoqen dhe djalin e vogël.

Sipas gazetës, vrasësi po e priste shqiptarin dhe qëlloi të paktën pesë herë.

E shoqja, Debora Krasniqi, e cila pa skenën e tmerrshme, u tha miqve se të shoqin e qëlluan nga pas.

Beqiri është vëllai i Misse Beqirit, një modele e njohur në Britani.

Ai mendohet se është vrarë për shkak të lidhjeve me trafikun e drogës në Suedi.

Vrasësi u arratis në këmbë. Policia po shqyrton kamerat e sigurisë për të identifikuar autorin.