‘Djegie makinash dhe kërcënime’/ Dëshmia e shqiptarit të mafias

Sokol Dervishi, shqiptari i penduar që ka vendosur të bashkëpunojë me autoritetet italiane, u ka ofruar hetuesve plot 123 faqe me dëshmi për aktivitetin e mafias viterbeze, anëtar i së cilës ishte deri në momentin e arrestimit.

33-vjeçari ka qenë ndër personat e rëndësishëm të grupit kriminal që terrorizonte qytetin italian me gjobëvënie, zjarrvënie, shantazhe e zhvatje.

13 anëtarë të grupit, shqiptarë e kalabrezë, u arrestuan më 26 janar 2019. Ai do të gjykohet më 10 shkurt 2020 në Romë, duke përfituar uljen e një të tretës së dënimit falë bashkëpunimit me autoritetet.

Dervishi, i njohur edhe si Nicola, Codino dhe Nero, ka treguar edhe për djegien e makinës së Claudio Ubertinit, anëtar i këshillit bashkiak të Viterbos, qytet në rajonin e Lazios.

Dervishi thotë që me urdhër të banorit vendas me origjinë kalabreze Giuseppe Trovato (një nga dy krerët e bandës, tjetri ishte shqiptari Ismail Rebeshi) iu vu flaka makinës Smart të këshilltarit komunal Claudio Ubertini, sepse ky i fundit nuk e kishte mbajtur premtimin për t’i besuar, përmes Komunës së Viterbos, punë ndërtimi.

Sipas Dervishit, makina e Ubertinit u dogj nga dy subjekte të tjerë, njëri prej të cilëve rezident në Vetralla.

‘Jo vetëm që jam në gjendje ta identifikoj kush e dogji Smartin, por saktësoj edhe që vetë ai më rrëfeu që kreu atentatin dhe që u qortua për një gabim në ekzekutim’, ka thënë Dervishi.

Shkatërrimi i makinave ishte një nga mënyrat ndëshkuese edhe për konkurrentët e Trovato.

‘Më kujtohet që dogjëm një Ford Mondeo me urdhër nga Trovato. Ai më tha që Ford Mondeo ishte i një konkurrenti të tij në blerje ari, i cili më pas e mbylli aktivitetin. Në çdo rast, Trovato i bënte vëzhgimet me persona të besuar’.

Nuk mbaron me kaq: ‘Konfirmoj edhe djegien e Porsche-s të përgjegjësit të sigurisë të diskotekave. Zjarri u vu nga unë, Ismail Rebeshi e Trovato, në interes të Rebeshit, i cili e fajësonte pronarin e makinës për vënien e pengesave për hapjen e një diskoteke dhe që ishte i afërt me forcat e rendit’.

Ndërkaq, zjarri iu vu edhe makinës së një karabinieri: ‘Trovato më tha t’i vija zjarrin makinës së një karabinieri, për ta ndëshkuar’.