Pse kudo ku ka seks, drogë e krim flitet për blerje votash?

Kur policia shqiptare kreu një prej operacioneve më të mëdha, falë ndikimit gjerman, kishte një fije që i lidhte të gjitha bandat e goditura. Nga Bajrët, te Ndokët e Avdylajt, të gjithë rezultonin që kanë futur duart në zgjedhje.

Por pavarësisht kësaj, e vetmja akuzë që duket sikur nuk i bën përshtypje askujt në këtë vend- sidomos drejtësisë, është ajo e manipulimeve zgjedhore.

Kështu ndodhi edhe një ditë më parë, kur u publikuan disa përgjime të Hermes Nikajt, gazetarit që njihet me pseudonimin Zogu i Tiranës. Teksa bisedonte me kolegen e tij, prezantuesen Dajana Shabani, kjo e fundit e fton të dalë në votime përkundrejt një pagese prej 20 mijë lekësh.

Kaq duhet dhe Zogu ‘fluturon’ drejt kutisë së votimit me gëzim. Nuk të duhet shumë mend të kuptosh se për kë ka votuar ai në Tiranë. Më 30 qershor votohej vetëm për një parti.

Që një parti të manipulonte zgjedhjet ku garonte vetëm, kjo ishte çmenduria e radhës antidemokratike që prodhonte qeverisja e Edi Ramës. Por qëllimi ishte i qartë: për të treguar se njerëzit po dalin në votime për të përkrahur qeverinë, edhe pse të dhënat e manipuluara sërish tregojnë se jo më shumë se 10 përqind e popullsisë dolën për të votuar. Si për të treguar se shumë prej tyre kanë dalë në votime jo vetëm përkundrejt pagesës, por edhe me përdhunë, këtë herë u shënua një rekord befasues i votave të pavlefshme. Mijëra qytetarë vendosën të shkarravisin fletën ose të lëshojnë mesazhe kundër Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Ajo që të dëshpëron në historinë e Zogut të Tiranës dhe Dajanës është fakti se vlera e një vote nuk është rritur. Ajo mbetet e lirë. 20 mijë lekë ishte atëherë kur ua blinin studentëve në Korçë, kaq ka mbetur. Sigurisht më shumë kushton një seancë seksi dhe një vizë drogë.

Por ky është tregues i faktit se drejtësia nuk ka për qëllim që ta bëjë votën diçka të shtrenjtë për shqiptarët. Sepse nëse nuk bëhet vota e shtrenjtë dhe e shenjtë, asgjë tjetër nuk do shkojë mirë në Shqipëri. Kurrë.