Çfarë fshihet pas ‘anijeve fantazmë’ që po shfaqen në brigje?

Pesë trupa dhe dy koka njerëzish u gjetën në një anije fantazmë në brigjet e Japonisë. Të dhënat e para sugjerojnë se trupat kanë kohë që lundronin në det, kurse anija ishte e dëmtuar rëndë. Prej kohësh në Japoni po shfaqen ato që njihen si ‘anijet fantazmë’, të cilat mendohet se vijnë nga Koreja e Veriut.

Por çfarë fshihet pas kësaj historie?

BBC thotë se ato quhen ‘anije fantazmë’ për shkak se zakonisht gjenden bosh ose me trupa njerëzish në bord. Por ka pasur raste kur janë gjetur edhe njerëz të gjallë, të cilët kanë konfirmuar se janë nga Koreja e Veriut.

Për çudi, vendi komunist nuk e ka përmendur historinë e anijeve të zhdukura. Shumica janë anije peshkatarësh, por nuk përjashtohen edhe rastet e anijeve ushtarake, pasi ushtria e këtij vendi është e përfshirë fuqishëm në industrinë e peshkimit.

Autoritetet në Japoni kanë hetuar për shkaqet e vdekjeve në bord, por është e vështirë të arrish në konkluzione pasi trupat shpesh janë të dekompozuar.

Gjatë muajve të dimrit dhe me pak ushqim në bord, mundësia që të ndërrosh jetë bëhet edhe më e madhe.

Anijet e drurit janë të thjeshta, pa pajisje moderne dhe pa sisteme GPS të navigimit.

Në të shkuarën është sugjeruar se personat e gjetur nëpër anije mund të jenë dezertorë që duan të shpëtojnë nga regjimi. Por ka dyshime se ata mund të jenë edhe spiunë. Në disa raste, ekuipazhet që janë gjetur të gjallë, kanë kërkuar që të kthehen në Korenë e Veriut.

Por përse shkojnë kaq larg peshkatarët e Koresë së Veriut? Një teori është se vendi po vuan krizën e urisë dhe ata janë të detyruar që të shkojnë larg për të kapur sa më shumë peshk.

Një tjetër teori është se Koreja e Veriut ia ka shitur të drejtat e peshkimit Kinës, duke e kufizuar shumë hapësirën ku mund të kapet ushqim deti.

Një tjetër tezë është ajo se peshkatarët e shesin atë që kapin dhe kjo i nxit të shkojnë gjithmonë e më larg.