Mourinho dëshiron Varanen, Tottenham përgatit mega-ofertën

Jose Mourinho duket se e ka bërë gati listën e lojtarëve që dëshiron tek skuadra e Tottenham.

Pas Gareth Bale, mediat angleze bëjnë më dije se trajneri portugez i ka kërkuar drejtuesve të klubit londinez blerjen e Rapahel Varane.

Sigurisht që drejtuesit nuk ia kanë bërë fjalën dysh dhe kanë përgatitur ofertën për mbrojtësin e  Real Madrid. Sipas  ‘Dailymail’ Spursat janë gati të ofrojnë rreth 73 milionë euro për lojtarin.

Mourinho ishte njeriu që kërkonte Varane edhe tek Real Madrid, në vitin 2011.

Portugezi e admiron lojtarin, pasi ka tentuar që me të të nënshkruajë edhe tek Manchester United, por nuk ia arriti.

Tani ai dëshiron që fituesin e Kupës së Botës ta afrojë tek skuadra e Tottenham, ku ka nisur aventurën e re.