Gabon sërish Tottenham, skuadra e Mourinho vuan përballë Norwich

Tottenham nuk ka marrë më shumë se një pikë në përballjen në transfertë ndaj Norwich.

Jo pa vështirësi, skuadra e Jose Mourinho barazoi me rezultatin 2-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të në Premier League.

Golin e parë në këtë takim e shënoi Mario Vrancic, kur po luhej vetëm minuta e 18’ e takimit.

Tottenham arriti të reagonte në pjesën e dytë, pas një goditje fenomenale të Christian Eriksen, nga gjuajtja e lirë, në minutën e 55’.

Gjashtë minuta më vonë, Norwich gjeti edhe një herë golin, me ndihmën e mbrojtësit të Tottenham, Serge Aurier, i cili shënoi autogol.

Por, shtatë minuta para fundit, Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke shënuar golin që i siguroi një pikë skuadrës së tij.

Tottenham tashmë renditet në vendin e 5-të duke grumbulluar 30 pikë, kurse Norwich pozicionohet në vendin e fundit me 13 pikë.