Valentin Veizi: Festival i katandisur! Ju administratorë, artistë e komision duhet të kryqëzoheni!

Nga Velentin Veizi.

Pa dashur të futem në analizë të festivalit të 58-të në RTVSH, por si pjesëtar i disa festivaleve dhe fitues i çmimit të parë dy herë radhazi, e pashë të udhës të ndaj shkurtimisht opinionin tim mbi këtë ngjarje artistike: Më lini t’ju a them që në fillim: Nuk është faji i Alketës apo Elvanës që ky festival është katandisur në këtë nivel.

Boll e kryqëzuat Alketën, që për mendimin tim është prezantuese e mirë. Kryqëzoni ata që e lejuan Alketën të bënte atë që ajo mendoi se ishte më e mira. Ajo s’është as skenariste, as këngëtare, as regjisore.

Boll e kryqëzuat Elvanën e në llojin e saj, është një këngëtare me një sukses të merituar. Teksti i dobët - ajo s’është poete; kompozimi jo i arrirë profesionalisht - ajo s’është kompozitore.

Ju rrogtarë e administratorë që paguheni për këtë punë, ju artistë "profesionistë" ndër më të mirët, juri a komision që përzgjidhni këto materiale, ju duhet të "kryqëzoheni", përgjegjësia është vetëm e juaja.

Ju s’keni më të drejtë morale e profesionale të drejtoni apo të organizoni këtë festë të këngës shqiptare. 

Ju thashë se s’do zgjatem në këtë diskutim që s’mbaron kurrë. Më lini t’ju përshëndes ju miqtë e mi dhe dashamirësit e këngës sime me këtë këngë duke ju uruar një Vit të Ri të gëzuar, të mbarë e të bardhë, paqe e dashuri.