Ronaldo tregon se çfarë do të dëshironte të bënte pasi të ‘varte këpucët në gozhdë’

Cristiano Ronaldo mori pjesë në “Globe Sport Awards” që mbahet në Dubai. Pas ndarjes së çmimeve Ronaldo foli për “Football 360°”.

“Ylli” portugez iu përgjigj disa pyetjeve të bëra në lidhje me të ardhmen. E filloi nga një konstatim, që ju bën të kuptoni të gjithë karakterin, forcën dhe besimin që ka në vetvete. Po ashtu, del në pah edhe vetëdija se herët a vonë, e gjitha kjo do të duhet të marrë fund:

" Unë kurrë nuk kam pasur një sezon të keq në jetën time, pasi jam gjithmonë i gatshëm të përballoj sfida . Luaj gjithmonë me qëllimi për të fituar. Në momentin që trupi im nuk do të reagojë më si duhet në fushë, atëherë do të jetë koha që unë të ndalem.Shumë vite më parë, mosha ideale për t’u ndalur së luajturi ishte 30, ose 32 vjeç; tani shihni ende 40-vjeçarët duke luajtur”.

Më pas, Ronaldo rrëfeu dhe dy dëshirat e tij pasi të “varë këpucët në gozhdë”.

" Kur ndalem së luajturi futboll, do të doja të rifilloja studimet . Dua të përqendrohem shumë në këtë gjë, sepse për fat të keq studimet që kam bërë nuk mund t'iu përgjigjen të gjitha pyetjeve që kam në mendje. Një gjë që më magjeps është ta provoj veten në aktrim, në ndonjë film”.