Censurohet filmi ‘I vetëm në shtëpi’, televizioni shtetëror kanadez heq pjesën ku shfaqet Trump

Televizioni shtetëror kanadez CBC ka hequr nga filmi ‘I vetëm në shtëpi: kam humbur në Nju Jork’, skenën ku shfaqet Donald Trump.

Dhe menjëherë ky zhvillim ka ngjallur polemika.

Heqja e skenës është konsideruar nga mbështetësit e Trump dhe konservatorët amerikanë si një lëvizje politike dhe censurë.

Djali i Presidentit amerikan, Donald Trump Junior, e konsideron patetik vendimin e Canadian Broadcasting Company, ndërsa në televizionin Fox kanë plasur kritikat.

Por, heqja e skenës nuk është një zhvillim i orës së fundit.

CBC saktëson se e ka hequr atë në vitin 2014, kur ka blerë të drejtën e transmetimit të filmit dhe kur Trump njihej vetëm për bizneset e tij dhe jo për President.

‘Siç ndodh shpesh për filmat e përshtatur për televizione, edhe ‘I vetëm në shtëpi’ është rishikuar. Skena me Trump ishte një prej atyre që janë hequr’, shpjegon CBC në një komunikatë për shtyp.

Presidenti amerikan nuk e ka marrë seriozisht këtë vendim dhe bën shaka në Twitter duke shkruar se filmi nuk do të jetë më i njëjti.