Sali Berisha, Tomor Alizoti dhe Mustafa Nano…

Ka një debat të pashtershëm që PD e vuan mbi shpinën e vet politike ku kusurin e pambarimtë të një borxhi që nuk e ka, e heq Sali Berisha.

A i ka përdoruar apo i ka ndihmuar realisht selia blu bazën kryesore të elektoratit të saj, ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë? Në një provokim të ulët nën petkun e shërbestarit politik, ish kryetari i PD-së së Skraparit në vitet 92-94, ai që sot njihet me konvencionin emëror Mustafa Nano ka thirrur në kauzë deri edhe z. Tomor Alizoti ish i përndjekur, për të ‘denoncuar’ si kriptokomunist Sali Berishën duke përdorur si alibi në akuzën e shpifët do foto të gërmuara ethshëm në albume personale të fëmijëve të diktatorit.

Parantezë…

Unë e njoh personalisht Tomor Alizotin. Ai dhe familja e tij ishin të internuar në Manëz. Në vitin 1989 unë dhe familja ime u zhvendosëm nga një fshat aty pranë drejt qytezës minerare të Manzës e cila kishte dy fytyra.

Atë të pallateve të reja ku strehoheshin qytetarët ‘e lirë’, drejtuesit e minierës së qymyrgurit dhe oficerët, dhe disa ngrehina njëkatëshesh surrogato banesash, ku jetonin pjesa më e varfër e popullsisë dhe ata që për nja dy vjet mësova që ishin ‘armiq’. Tomorr Alizoi asokohe ishte 12-13 vjeçar flokëkuq dhe sëbashku me mamanë e tij, një zonjë grua që shkëlqente në të gjitha drejtimet e sidomos me krenarinë e saj të pathyeshme edhe në pikë të hallit, ishin plasur përdhunshëm në një barakë njëdhomëshe e me të atin që bënte ecejaket në biruca e komunizmi sa herë partisë i duhej një ‘armik i kllasës’.

Në të paktat memorie që ruaj nga fëmijëria ime në Manëz, është edhe imazhi i Tom Alizotit, që si fëmijë më dukej se shijonte vegjëlinë si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë në dukje, por e vërteta nuk kish qenë ashtu. Kur u ritakuam me Tomin vite e vite më pas, kësaj here ai si një ish diplomat dhe unë si gazetar, kemi pasur mundësinë që të flasim për atë kohë.

Tomi më rrëfente sesi mëkëmbësit e regjimit në Manëz mëse njëherë ia kishin përplasur fytyrës deri edhe atij se ishte ‘armik’, dhe sa herë që ‘Tom Sojeri’ manzak bënte ndonjë prapësi fëminore, gjyqi i tij para shkollës apo para komunitetit i përarfrohej asaj të modeleve me hetues Aranit Çelën.

Me hapjen e ambasadave Tom Alizoti dhe familja e tij emigruan në Gjermani, ku djaloshi çapkën i internuar në Manëz pasi u shkollua u shndërrua në një diplomat të shkëlqyer karriere, karriere e cila gjejeni pak, mbaroi diku pas 23 Qershorit 2013-ës.

Realiteti është i interpretueshëm…

Sali Berisha nuk e ka mohuar asnjëherë që ai ka shërbyer radhët e trupës mjekësore që kuronte banorët e rezidencës së të keqjes në zemër të Tiranës. Mjekët e shkëlqyer regjimi pak herë i la në shërbim të qytetarëve të saj, ato duhet të ishin ekskluzivitet vetëm i shëndetit të udhëheqjes e të udhëheqësve, komunizmi nuk bënte përjashtim as në këtë drejtim.

T'i thuash një doktori nën ‘betimin e Hipokratit’ se ai e ka bërë punën e tij me ‘devotshmëri’, është po aq hipokrite sa ti bësh avokatinë hileqare dy ish hetuesve katilë të regjimit, siç janë të faktuar më zë e me figurë i pari Fatmir Xhafaj, e i dyti kreu i ri SPAK-ut Arben Kraja.

Përdorni për vetëm 1 minutë logjikën dhe vendosini në kandar këta 3 persona, një doktor të regjimit dhe 2 hetues të po të njëjtin sundim. Kush ka bërë më shumë qeder, kush ka dënuar më shumë, kush i ka përdorur darët, i pari për të qepur plagë e dy të tjerët për shkulur mish nga trupi i të dënuarit për të pranuar atë që se ka bërë. Në raport me moralin politik mes Sali Berishës, Fatmir Xhafajt dhe Arben Krajës çfarë ndodh?

Sali Berisha vërtetë ka ‘shërbyer’ në radhët e regjimit edhe si sekretar po të doni, dhe nga ana tjetër Xhafaj-Kraja kanë bërë njësoj, por pyetja që shtrohet është: Çfarë ka bërë Sali Berisha dhe dy personazhet e tjera në raport me historinë e tyre personale politike? Le t'i hapim dosjet e arsyes!

Në prag të rrëzimit të regjimit komunist ndërsa Sali Berisha (Doktori) publikonte shkrime që kërkon pluralizëm në mediat e kohës dhe injorantët e udhëheqjes komuniste pyesnin ‘çfarë janë këto pulat që kërkojnë këta’, Fatmiri dhe Arbeni vazhdonin punën ne hetuesitë përkatëse. Në kohën kur Sali Berisha ia thoshte përballë në sy Ramiz Aliajt që duhet liri politike në 1989 kur ende të ikte koka për një fjalë goje, Xhafaj dhe Kraja ishin duke pritur po atje në hetuesi me dosjen gati me sytë nga Ramiz Alia.

Dhe kur njeriu ishte i lirë të vendoste më në fund për fatin e tij, Sali Berisha u zgjodh me votë nga demokratët në krye të Partisë Demokratike, ndërsa Fatmir Xhafaj dhe Arben Kraja nga xhelatë të komunizmit, u konvertuan në asqerë të PPSH-së alias Partia Socialiste që njohim sot. Kjo është piktura e madhe, të tjerat janë propagandë. Historia personale e politike e Sali Berishës nuk janë 3 -4 foto e një teserë, por është ajo që ka bërë para gjatë dhe pas rënies së komunizmit, kur ai nuk mbathi ‘këpucët’ e kuqe politike si disa ish-kolegë të tij mjekë, por ishte e mbetet skalioni përballë.

Pra…, e kuptoni ku kemi arritur vetëm gati 30 vite pasi gjasme rrëzuam të ligën? Me ardhjen e Sali Berishës në pushtet në vitin 1992, mbaj mend që ish të përndjekurve i’u akorduan me ligj një seri benefitesh si financiare ashtu edhe favorizime (krejt të kuptueshme e njerëzore) për ti dhënë mundësi atyre të riintegroheshin në një shoqëri që për mëse 45 vjet u ishin mohuar me dhunë. Ajo e arsimit in primis.

Që prej vitit 1992 e deri në vitin 2008 kur në Shqipëri u implementua karta e Bolonjës, në universitetet shqiptare kishte kuota të caktuara posaçërisht për fëmijët e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë, të cilët e kalonin apo jo pragun e pikëve që kërkohej për tu futur në auditore, kualifikoheshin automatikisht.

Por jo gjithmonë liria vepron…

Në vitin 1993, në universitetet shqiptare studentët që vinin nga shtresat e ish të përndjekurve u hodhën në grevë dhe braktisën studimet pasi kërkonin kushte më të mira në konvikte. E drejta e protestës është e kuptueshme, por braktisja e mësimit nuk bënte shumë sens.

Një mik i imi më tregonte për një takim mes liderit të Dhjetorit Azem Hajdari dhe  studentëve. Azem Hajdari pasi u njoh me kërkesat e studentëve iu drejtua atyre me fjalët: ‘Jam shumë dakord me atë që kërkoni, por duhet të keni një gjë parasysh.

A nuk e kuptoni dëmin që po shkaktoni duke braktisur studimet. A nuk e kuptoni që nëse ju nuk mbaroni studimet e nuk e diplomoheni sa më parë, ne do të vazhdojmë të kemi ende në strukturat shtetërore, shërbestarët e komunizmit? A nuk e kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë për çaj dhe groshë, por për drejtësi sociale?’.

E vërteta është që menjëherë pas këtij ballafaqimi me Azem Hajdarin, studentët e braktisën grevën dhe iu kthyen auditorëve. E vërteta është Shqipëria pas diktaturës në mungesë të elitave, edhe gjatë qeverisjes së PD-së kishte në administratë, në gjyqësor, në kadastra e kudo njerëz që kishin punuar edhe gjatë regjimit.

Jo si model ‘Katovice’, sesa si vetëdije shtetare se pavarësisht asaj që kishte ndodhur, vendi nuk mund të privohej nga administrata dhe shërbimet e saj. Sepse fundja në një vend të shkretuar nga elitat, elita do të ishte edhe për disa kohë ajo që ishte trashëguar nga regjimi. Sepse edhe në vetëdijen më të thellë, Sali Berisha nuk e bëri kurrë atë që bëri Edi Rama nga 2016 e këtej duke e shkretuar, rrënuar e paralizuar sistemin gjyqësor vetëm për interesat e veta siç ndodhi me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Atë që Edi Rama bëri me Reformën në Drejtësi, Sali Berisha e bëri me sistemin e ‘Plepave’, por krejt ndryshe edhe pse jo me shumë efekt. Sa për kronikën, ish të përndjekurit dhe të dënuarit politik në dy momentet qeverisjes së Sali Berishës kanë qenë në ballë të pushtetit legjislativ, Pjetër Arbnori (1992-1997) dhe Jozefina Topalli (2005-2013).

A ka patur raste kur ish të përndjekurit kanë kaluar gardhin dhe janë hedhur në krahun e gabuar të historisë përgjatë 30 viteve të fundit? Sigurisht që po! A mund të konsiderohet faj i Sali Berishës pse Kurt Kola lejon që djali i tij të rreshtohet përkrah Edi Ramës në shfaqjen e shëmtuar e të rrejshme të përkujdesjesh për ish të dënuarit dhe të përdjekurit politikë?

A është faji i Sali Berishës, që pas 30 vjetësh në krye të strukturës së SPAK-ut, frerët i jepen në dorë një ish xhelati të komunizmit?  A është faji i Sali Berishës, që nën regjimin e Edi Ramës, Gramoz Ruçi është kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe Agron Tufa kërkon azil politik në Zvicër pas përplasjes me ultrakomunistët pashërueshëm që duan ti mbyllin gojën se flet të vërtetën e errët të tyre?

Sa për Mustafa Nanon…

Njeriu që disa ditë më parë në emsionin e tij të titulluar serbisht ‘Provokacija’, tentoi të shqipëronte disa krahasime bajate mes Sali Berishës dhe Arben Krajës duke thirrur në kauzë ish-të përndjekurin Tomor Alizoti, ky nuk është shërbimi i parë që ai tenton ti bëjë filozofisë së të keqjes.

Flas për atë filozofi ‘rilindase’ që tenton të relativizojë deri në barazim punën e Doktorit me atë të ‘xhelatit’, nën moton ‘të gjithë bashkëvuajtës e të gjithë bashkëfajtorë’. Njeriu që e nisi veprën e tij si revolucionar në Skrapar, e vazhdoi si evolucionist (konsull në Kroaci) e po e mbylll si gaztor oborri në perandorinë e Surrelit, nuk mund të mos replikohet në tentativën e tij për të justifikuar deri në histeri krimin  që buron përmes kapjes së pushtetit.

Deri në njoftim të dytë, ajo që u pa në ‘Provokacija’ pak ditë më parë, mund dhe duhet të konsiderohet si një tentativë e dështuar për të mbuluar atë që s’thuhet me të hollët. Dhe ai që e bëri këtë duhet thënë se pati boll guxim për besë, guxim nga ai me pagesë…

PS...