FOTO/ Numri i çuditshëm që mund të mbajë Ibrahimovic te Milani

Zyrtarizimi i kalimit të Zlatan Ibrahimovic te Milani është çështje kohe, teksa diçka të tillë e konfirmoi edhe sulmuesi suedez ditën e sotme.

Në profilin e tij zyrtar në “Instagram” ai postoi një foto të vetes, me sytë e kuq të “Djallit”, ku konfirmon se e ardhmja e tij tashmë do të jetë te Milani.

Suedezi pritet të zbarkojë shumë shpejt në Milano, ku do të nisë stërvitjen me klubin kuqezi dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit Stefano Pioli.

Megjithatë ende nuk dihet se cilin numër do të mbajë suedezi në shpinë në këtë rikthim të tijin në “San Siro”.

Gjatë karrierës së tij, 38-vjeçari ka mbajtur zakonisht numrat, 9, 10 ose 11, të cilët momentalisht janë të zënë te Milani, respektivisht nga Piatek, Calhanoglu dhe Borini.

Në këtë situatë “Sportmediaset”, hedh një hipotezë se Ibra mund të marrë numrin 1, i cili është i lirë te Milani, pasi Reina ka zgjedhur të mbajë numrin 25.

Suedezit do t’i pëlqente kjo ide, pasi mund të ishte kthesa e madhe që ai ka në mendjen e tij, pasi kjo do të bënte që të shiteshin shumë fanella dhe të rritej marketingu.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që një futbollist që nuk është portier do të mbante numrin 1, pasi më parë të njëjtën ka bërë edhe De Guzman te Chievo.