Aleanca e Teatrit i përgjigjet kërcënimeve të Veliajt: Ne nuk harrojmë, as nuk dorëzohemi

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i përgjigjet kryebashkiakut të Tiranës lidhur me deklaratat e tij të sotme në Këshill Bashkiak, ku paralajmëroi edhe një herë shembjen e godinës.

"Sot dua ta bëj të qartë se çdokush që pengon zhvillimin do të ketë fatin dhe përfundimin e asaj që ndodhi para pak ditësh te Astiri. Tirana nuk ndalet! Qytetarët duan zhvillimin, duan rrugët, duan Piramidën, duan Teatrin, duan Bulevardin e Ri dhe zhvillimin aty, duan transformim në çdo lagje e çdo cep të qytetit. Askush nuk do të guxojë që të ndalë “orën” e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Përmes një komunikate në Facebook, AMT shprehet ndër të tjera se, "sorollatja e tij rreth teatrit, herë duke sjellë të akuzuarin për shpërdorim detyre nga Aleanca në prokurori, zëvendësin e tij, herë duke shkëputur ujin dhe dritat dhe së fundmi duke shklyer banderolën "Monument Kulture Mbrohet nga Populli", nuk tregon gjë tjetër veçse dëshpërimin e tij për të legjitimuar grabitjen e planifikuar të pasurisë kombëtare".

Aktivistët i kujtojnë Veliajt se, 

Teatri Kombëtar, qysh nga 10 dhjetori 2019 është një nga 14 vendndodhjet më të rrezikuara të Europës, duke u njohur kështu si pasuri me vlera dhe pjesë e trashëgimisë Europiane.

Në fund, edhe një thirrje për qytetarët: 

"U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës që sonte të forcojmë edhe më shumë radhët në protestën tonë të mbrëmjes e të tregojmë edhe fizikisht se gatishmëria jonë është gjithmonë maksimale".

KOMUNIKATA E PLOTË:

Erion Veliaj, kryetari i votuar me votat e 15% të qytetarëve të Tiranës, në daljen e tij të radhës na kujton që nuk ka hequr dorë nga Teatri Kombëtar dhe nga kërcënimet ndaj nesh.

Marrëveshjet e fshehta, me kreun e qeverisë moniste dhe oligarkët e kanë sjellë në pikën pa kthim. Sorollatja e tij rreth teatrit, herë duke sjellë të akuzuarin për shpërdorim detyre nga Aleanca në prokurori, zëvendësin e tij, herë duke shkëputur ujin dhe dritat dhe së fundmi duke shklyer banderolën "Monument Kulture Mbrohet nga Populli", nuk tregon gjë tjetër veçse dëshpërimin e tij për të legjitimuar grabitjen e planifikuar të pasurisë kombëtare.

Si qytetarë të Tiranës e si qëndrestarë në kauzën e Teatrit, i kujtojmë kryetarit të Bashkisë që nëse ai vë në lojë jetën e Teatrit për karrierën e tij aktuale, të jetë i sigurtë që të ardhme në politikë nuk do të ketë. Figura e tij do të jetë e diskretituar në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Si njerëzit që i kanë dhënë jetë sheshit të Teatrit për gati 2 vjet me protestën e Teatrit Kombëtar prej mbi 5 muajsh, ne kemi dhënë shembullin e qartë të rezistencës, sakrificës e vendosmërisë që me qytetari e me art ta zmbrapsim dorën shkatërruese të qeverisë e bashkisë. Dhe për këtë qytetari, rezistencë e art kemi siguruar mbështetje të nivelit më të lartë në Europë.

Jemi të bindur që kryetari i bashkisë pavarësisht se bën sikur nuk sheh e dëgjon, e njeh shumë mirë forcën tonë për të mos lejuar asnjë moment rrezikimin e objektit, i cili sot më shumë se kurrë është sheshi ku është mbjellë fara e demokracisë!

I kujtojmë veçanërisht opinionit publik se Presidenti i Republikës e ka çuar ligjin "Fusha" në Gjykatën Kushtetuese më 24 korrik të këtij viti dhe asnjë veprim nuk mund të kryhet derisa kjo gjykatë të shprehet!

Teatri Kombëtar, qysh nga 10 dhjetori 2019 është një nga 14 vendndodhjet më të rrezikuara të Europës, duke u njohur kështu si pasuri me vlera dhe pjesë e trashëgimisë Europiane.

Ne si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kemi zhvilluar rreth 50 aktivitete teatrore, letrare, kulturore e shoqërore në atë objekt që ai e parashikonte që do të ishte i rrafshuar që në vitin 2018.

Ne nuk harrojmë asnjë nga kërcënimet e tij, por jemi tërësisht të vendosur që ta vazhdojmë me përkushtim rezistencën tonë. I kërkojmë me këtë rast të bëjë transparent me urgjencë gjithë procesin e vendimmarrjes për tenderin për Teatrin sepse kanë kaluar gjithë afatet zyrtare për këtë gjë. Përveç pasojave politike, mosrealizimi i kësaj transparence do të ketë pasoja ligjore për të.

U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës që sonte të forcojmë edhe më shumë radhët në protestën tonë të mbrëmjes e të tregojmë edhe fizikisht se gatishmëria jonë është gjithmonë maksimale.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, 26 dhjetor 2019