E konfirmon Albin Kurti! Dështon marrëveshja mes VV dhe LDK, Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

Kosova duket se po i drejtohet sërish zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kjo pasi marrëveshja e mundshme midis Vetëvendosjes dhe LDK-së, duket se ka dështuar.

Lajmin e jep kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që në një mesazh pamor bën të ditur se ditën e nesërme do të shkohet në Kuvend pa një marrëveshje midis palëve që pritej të formonin koalicionin qeverisës.

“Kisha planifikuar që sot të takoj deputetë të pakicave dhe sot ta mbanim mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm të LVV, mirëpo këto u pamundësuan nga refuzimi i mbrëmshëm i ofertës sonë për koalicionin qeverisës duke na dërguar nesër në Kuvendin e Republikës pa marrëveshje për qeverinë. Të dashur qytetarë të Kosovës, është obligimi im moral, shtetëror e kombëtar, qytetar e njerëzor që t’iu njoftoj se në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë do të shkojmë pa dakordimin për qeverinë.

Marrëveshjes nuk kemi mundur t’ia bashkëngjisim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive. Oferta ime e datës 23 Dhjetor 2019 u refuzua dje. Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme.

Pika e parë: LVV i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i Parë. LDK-së i takon nënkryetarin e dytë. Le ta bëjmë rokadën përmes kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të parlamentit. Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë Vetëvendosje.

Pika e dytë: Çështjen e Presidentit më së miri e lëmë për më vonë, por nëse LDK insiston që ne patjetër ta bëjmë nominimin për LDK atëherë ne duhet të na shtohet një ministri, Ministria e Punëve të Brendshme.

Pika e tretë: Sipas kërkesës së LDK, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojmë Ministrisë së Arsimit, Teknologjisë, Shkencave dhe Inovacionit dhe Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal dhe pakica serbe Ministrinë për Komunitete”, tha Kurti.

Ai shtoi se një muaj nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, LDK nuk ka bërë asnjë kompromis.

“Oferta e parmbrëmshme ishte koncesioni ynë i pestë. Më shumë se kaq përtej kësaj dhe ndryshe nga kjo nuk mundemi. Duam ta ndajmë përgjegjësinë qeverisëse me drejtuesi e bujari duke lëshuar pe edhe pse fitues edhe duke i dhënë të dytëve gjysmën e qeverisë. Pritja i kushton shtetit”, tha Kurti, i cili shtoi se “Ndryshimin politik nuk do lejojmë që të zvogëlohet apo deformohet”, theksoi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. /Syri.net

VIDEO-MESAZHI I KURTIT: