Një tradhtar i kombit shqiptar

Samiti i ri rajonal mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Durrës shënoi një tjetër nivel të ulët në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës.

Përgjegjësia për këtë bie plotësisht mbi Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë. Dhe atij duhet t’i vijë turp për këtë sjellje ndaj Kosovës.

Cili është problemi i Edi Ramës?

Ai duket se nuk mund të gëlltisë refuzimin e Kosovës për t’u bashkuar me mini-Jugosllavinë e re, që ai dhe diktatori i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë projektuar së bashku. Ata e kanë tërhequr Zoran Zaevin e Maqedonisë së Veriut në të, por të gjithë të tjerët në rajon po tregohen të ftohtë.

Rama po ngjan gjithmonë e më shumë me Vuçiçin së fundmi. Ashtu si miku i tij në Beograd, ai e ka rrethuar opozitën dhe është përballur prej mbi një viti me protesta në rrugë. Parlamenti është kthyer në lodrën e tij personale. Dhe zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme për të zgjidhur krizën, por ai e dashuron situatën, në të cilën Shqipëria është kthyer virtualisht në një sistem njëpartiak si në kohërat e errëta të komunizmit. Ligji i ri për median është një sulm i hapur ndaj lirisë së fjalës. Ai nuk është dikush që duron t’i thonë JO për asgjë.

Ai e hëngri karremin e Vuçiçit dhe tani po shfryn mbi Kosovën dhe po fyen liderët e Kosovës me të pavërteta që janë raportuar me entuziazëm nga mediat serbe.

Pse nuk dëshiron Kosova të anëtarësohet?

Kosovës i kërkohet të anëtarësohet në një klub dhe të hapë kufijtë me një vend që nuk e njeh ekzistencën e saj, dhe që punon në mënyrë intensive për të shkatërruar republikën e re, dhe që ka kryer krime të mëdha lufte kundër popullsisë civile, për të cilat as ka kërkuar falje dhe as ka pranuar të paguajë kompensime.

Kosova i është përgjigjur fushatës agresive të Serbisë për të hequr njohjet dhe për të ndërhyrë në punët e brendshme duke vendosur një tarifë ndëshkuese 100 përqind për të gjitha produktet serbe në Kosovë.

Kjo masë është kritikuar, por Kosova po e mbron veten me ato pak mjete që ka në dorë. Ky mini-Shengeni i Ramës dhe Vuçic do të kërkojë nga Kosova që të anulojë tarifat, pa e detyruar Serbinë që të heqë dorë nga fushata dhe politikat e saj armiqësore diplomatike kundër Kosovës.

E vetmja mënyrë që Kosova të ulet në tavolinë është si anëtare e plotë, e njohur nga të gjitha vendet, përfshirë edhe Serbinë.

Për më tepër, Kosova nuk është e vetme në refuzimin e mini-Shengenit. Mali i Zi dhe Bosnja po mbajnë distancë. Edhe në Maqedoninë e Veriut, si një anëtare ‘themeluese’, ka shumë zyrtarë skeptikë për pjesëmarrjen e vendit të tyre. Kjo e bën sulmin e Edi Ramës ndaj Kosovës edhe më të çmendur.

Ballkani Perëndimor dëshiron të anëtarësohet në BE, jo në një union të nivelit B, as në Jugosllavinë e re dhe më të vogël që bën tregti me Slloveninë dhe Kroacinë. Edi Rama duhet të jetë duke tymosur duhanin e tij nëse beson se kjo do funksionojë.

Më i rëndë është refuzimi i hapur dhe publik i Edi Ramës për krimet kundër njerëzimit që Serbia ka kryer në Kosovë.

Vetëm pak ditë më parë, Vuçiç hodhi poshtë masakrën e Reçakut si një mashtrim. Ai sulmoi integritetin e ambasadorit të OSBE, William Walker dhe vëzhguesve që ishin dëshmitarë të krimit. Më shumë se 1 mijë shqiptarë janë akoma të humbur, të shpërndarë nëpër varrezat masive të fshehura në Serbi. Vuçiç ka qenë vetë në vitet ’90, udhëheqës në Partinë Radikale fashiste serbe. Ministri i tij i jashtëm ka qenë zëdhënësi personal i diktatorit dhe kriminelit të luftës, Sllobodal Millosheviç. Ata kanë treguar zero empati përgjatë këtyre viteve, dhe në vend që të bënin një falje zyrtare, kanë vazhduar të tallen me tragjedinë e popullit kosovar.

Kur u pyet në lidhje me kujtimet e dhimbshme të luftës, që janë ende të freskëta, si një arsye e mirë që Kosova të mos bashkohet me Serbinë në një iniciativë të tillë, Edi Rama i Shqipërisë e quajti pyetjen e gazetares ‘patetike’.

Në vend që të përdorte rastin për të mbrojtur të vërtetat historike, ai iu bashkua Vuçiçit në hedhjen poshtë të rëndësisë së tyre.

Edi Rama duhet të turpërohet për këtë përgjigje dhe për sulmet ndaj liderëve të Kosovës në një krizë publike që nuk do të harrohet. Ai nuk u soll si burrë shteti, por si një diktator që nuk mund të përballet me të vërtetën.

Ai është zemëruar sepse e di se tani nuk flet për Kosovën. Dhe sinqerisht, ai nuk flet as për Shqipërinë. Jo derisa të fitojë një palë zgjedhje të reja, ku të gjithë partitë politike të marrin pjesë në një klimë të lirë dhe të ndershme politike.

Çfarë po mendon Rama? Që Kosova do i harrojë mijëra civilë të vrarë, varret masive, 20 mijë gratë e përdhunuara, më shumë se gjysmën e popullsisë së deportuar me forcë nga vendi, burgjet, torturat, mohimin e shërbimeve shëndetësore, djegiet dhe plaçkitjet, vitet e gjata të ligjit ushtarak dhe diktaturës, tanket që shtypnin protestat e tyre paqësore dhe shumë gjëra që digjen në kujtesën tonë kolektive? Kosova është një vend sovran tani. Më shumë se 110 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë njohur pavarësinë e saj. Edhe nëse organizata të mëdha botërore, si Banka Botërore, FMN, FIFA, Komiteti Olimpik Ndërkombtar, Facebook e njohin Kosovën si të pavarur dhe të barabartë me vendet e tjera, atëherë kështu duhet të bëjë edhe ky projekt i gatuar në Beograd dhe i servirur për Tiranën dhe Shkupin.

*Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria, një lider i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe fitues i shumë çmimeve.