Juventus përgatit ofertën konkrete për Pogba

Jo vetëm Haaland për merkaton e janarit. Sipas “Tuttospot”, Juventusi ka bërë përparime në negociatat me Manchester United për të rikthyer mesfushorin Paul Pogba.

60 milionë euro (52 milionë paundë) plus kartonin e Emre Can mund të jetë një ofertë e mjaftueshme për të bindur drejtuesit e “Djajve të Kuq”.

“TuttoSport” shkruan se Pogba është “ngopur” me zhvillimet e sezoneve të fundit në “Old Trafford” dhe do të ishte i lumtur të kthehej në klubin e Serie A për të përjetuar përvojë të dytë të magjishme me fanellën bardhezi.

Pogba u rikthye në skuadrën e parë të United të dielën, në humbjen 2-0 me skuadrën e fundtabelës së Premier League-s, Watfordin, pas gati tre muajsh jashtë për shkak të një dëmtimi të rëndë.

Kontrata e mesfushorit francez me United skadon pas 18 muajsh, çka do të thotë që klubi anglez duhet të mendojë të bëjë biznes dhe të lejojë largimin e tij para se të jetë vonë, pasi do ta humbiste me parametër zero.

Pogba u ribashkua me Manchester United në gusht të vitit 2016 pas një marrëveshje rekord për kohën (90 milionë paundë).

Gjatë përvojës te “Zonja e Vjetër” fitoi çdo vit titullin e Serisë A si dhe Kupën e Italisë në dy raste.

Ndërsa me “Djajtë e Kuq” u shpall fitues i Europa League-s dhe i Kupës së Ligës nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Trajneri i United, Ole Gunnar Solskjaer, insistoi javën e kaluar që Pogba nuk do të largohet në merkaton e janarit, por pavarësisht qëndrimit të norvegjezit, qëndrimi më gjatë i francezit në “Old Trafford” paraqet rrezikun e humbjes se shumë parave nga klubi anglez.