Sizmiologu që ‘parashikoi’ tërmetin / Dy problemet e një takimi

Sizmiologu grek, Spiros Pavlidis, është bërë i famshëm në Shqipëri pasi fillimisht u tha se ai kishte ‘parashikuar’ tërmetin e rëndë të 26 nëntorit.

Prej asaj dite, Pavlidis, një nga emrat më të njohur në Greqi prej dekadash, është intervistuar disa herë. Ai ka sqaruar se nuk mund të parashikohen tërmetet, por sipas studimeve që ka bërë ai, në zonën ku goditi tërmeti i 26 nëntorit, mund të ketë tërmete deri në shkallën 6.7.

“Nga sizmiologë shqiptarë ishin bërë studimet që e tregonin këtë zonë për 5.8 deri në 7.1 R. Për këtë arsye ne përllogaritëm 6.7 për këtë çarje, plus minus 0.4 dhe mund të jetë 7, por edhe 6.4. Shumica e tërmeteve katastrofikë në Shqipëri kanë qenë 6.4,” tha ai. Sipas sizmiologut grek, duhej treguar më shumë vëmendje pas tërmetit të 21 shtatorit.

Të dielën, nga Kuvendi u njoftua se sizmiologu i famshëm grek është takuar me kreun e parlamentit, Gramoz Ruçin. Asgjë të keqe nuk ka. Por nga takimi dalin në pah dy probleme.

E para, vetë Pavlidis thotë se Shqipëria ka pasur dhe ka shkencëtarë të shkëlqyer në fushën e sizmiologjisë.

E dyta, siç kanë raportuar mediat më herët, hartat e detajuara sizmike kanë qenë gati për qeverinë që prej vitit 2013, por janë shpërfillur.

Në këto kushte, një takim me zotin Pavlidis ndoshta ngjan më shumë si një shfaqje, kur ekspertët i kemi këtu, madje i kemi injoruar prej vitesh deri në këtë ditë të zezë.